
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Fatmir Sopi, ka shprehur shqetësimet dhe mosbesimin e tij ndaj Gjykatës Speciale, duke thënë se ato kanë ekzistuar që nga fillimi i themelimit të saj.
Në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, Sopi ka deklaruar se, sipas tij, kjo gjykatë është krijuar nën presion të madh politik, duke u bazuar në raportin e Dick Martyt, të cilin e ka cilësuar si të rremë.
Ai ka pretenduar se raporti ishte financuar nga Rusia dhe Serbia, ndërsa ka thënë se hetimet nuk kanë gjetur prova në drejtimin e pretendimeve fillestare.
Sopi ka vlerësuar se Gjykata Speciale më pas ka marrë një drejtim tjetër, duke u fokusuar, sipas tij, kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftës së saj dhe pavarësisë së vendit.
Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën e trajtimit të dëshmive gjatë procesit gjyqësor, duke pretenduar se më shumë rëndësi u është kushtuar dëshmive të ardhura nga Serbia, përfshirë ato të prokurorisë serbe dhe shërbimeve sekrete e ushtarake serbe.
Në anën tjetër, Sopi ka thënë se, sipas tij, nuk u janë dhënë rëndësia e duhur dëshmive të personave që ai i konsideron kredibilë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe shtete të tjera evropiane./Gazeta10