
SHBA-ja, Danimarka dhe Grenlanda nënshkruan të martën një marrëveshje për forcimin e sigurisë në Arktik dhe Atlantikun e Veriut. Marrëveshja u nënshkrua në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, raporton Anadolu, transmeton KosovaPress.
Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se SHBA-ja do të zgjerojë praninë ushtarake në Grenlandë.
“Do të fillojmë menjëherë procesin e zhvillimit të një pranie të madhe ushtarake në vendet e përshtatshme. Do të ndërtojmë 2 baza ushtarake shumë të mëdha”, deklaroi ai.
Duke folur para Asamblesë së Përgjithshme, përpara nënshkrimit, Trump tha se marrëveshja i jep SHBA-së “kontroll të përhershëm mbi sigurinë dhe të gjitha nevojat e tjera” të territorit.
“Do të kemi mundësi të plotë të bëjmë atë që nevojitet për të mbrojtur kontinentin amerikan, por edhe Evropën dhe vende të tjera”, tha ai.
Sipas Trumpit, asnjë kundërshtar i SHBA-së nuk do të lejohet të krijojë prani ushtarake në Grenlandë. Ai shtoi se as investimet e ndjeshme atje nuk do të lejohen pa “miratimin e shprehur me shkrim” të Uashingtonit.
Presidenti amerikan argumentoi se zgjerimi i pranisë në Arktik dhe Atlantikun e Veriut do të mbrojë SHBA-në dhe Evropën. Sipas tij, kjo gjithashtu “e forcon shumë NATO-n”.
Në ceremoninë e nënshkrimit, Trump e cilësoi marrëveshjen “të jashtëzakonshme për Evropën, për Shtetet e Bashkuara, për të gjithë dhe për Grenlandën”.
Ai tha se marrëveshja ishte përgatitur prej kohësh dhe parashikoi një “marrëdhënie fantastike afatgjatë” ndërmjet palëve.
Trump shprehu gjithashtu gatishmërinë për bashkëpunim me popujt e Danimarkës dhe Grenlandës. Sipas tij, gjatë këtij procesi palët kishin krijuar një lidhje të fortë.