
Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se shtetasi i Kosovës, Bajram Bajrami, është liruar nga autoritetet kroate.
Kjo, sipas ministrisë, erdhi pas angazhimit të institucioneve të Kosovës dhe bashkëpunimit me autoritetet kompetente të Kroacisë.
“Pas angazhimit të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm të institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe bashkëpunimit me autoritetet kompetente të Republikës së Kroacisë, shtetasi i Republikës së Kosovës, Bajram Bajrami, është liruar nga autoritetet kroate”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas Ministrisë, Bajrami ishte ndaluar në Kroaci në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.
“Z. Bajram Bajrami ishte ndaluar në Kroaci në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, lidhur me pretendime për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ministria ka bërë të ditur se që nga momentet e para të ndalimit, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme institucionale për adresimin e rastit.
“Që nga momentet e para të ndalimit, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme institucionale për adresimin e rastit, me ç’rast më 14 gusht 2026, përmes një shkrese zyrtare drejtuar Ministrit të Drejtësisë të Kroacisë, Damir Habijan, dhe autoriteteve kompetente, Ministrja Gërvalla ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të shtetasit të Kosovës, duke ngritur njëkohësisht edhe shqetësimin lidhur me përdorimin e urdhër-arresteve të Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas Ministrisë, çështja është adresuar edhe gjatë një bisede telefonike mes Gërvallës dhe homologut të saj kroat.
“Çështja është adresuar gjithashtu edhe gjatë bisedës telefonike të Ministres Gërvalla me homologun e saj kroat, me qëndrimin se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund të mbahen peng nga pretendime të tilla të Serbisë dhe se, për çështjet që lidhen me veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës, kompetenca u takon institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ministria e Drejtësisë e ka cilësuar rastin si dëshmi se institucionet e Kosovës do të jenë pranë qytetarëve të saj përballë ndjekjeve të Serbisë përmes mekanizmave ndërkombëtarë.
“Ky rast është një tjetër dëshmi se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk do të mbeten vetëm përballë përpjekjeve të Serbisë për t’i ndjekur dhe ndaluar përmes mekanizmave ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.
Në fund, Ministria ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë t’i mbrojë qytetarët e saj.
“Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve të saj, për t’i mbrojtur me vendosmëri të drejtat e tyre, dinjitetin e Republikës së Kosovës dhe të vërtetën për luftën tonë të drejtë çlirimtare.
Askush nuk mund ta përdorë drejtësinë si instrument politik kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës”.