
Vendimi i 16 shtatorit në Hagë, me të cilin u shqiptuan dënimet për ish-krerët e UÇK-së, ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë. Në shenjë revolte ndaj vendimit, në Prishtinë, që nga nata e 16 shtatorit e deri më tani, po zhvillohen protesta dhe tubime qytetare.
Fatmir Sopi, pjesë e Organizatës së Veteranëve të Luftës për emisionin Gazeta tha se në këtë situatë është e nevojshme që të gjitha forcat politike dhe institucionale të bashkohen në kërkim të drejtësisë dhe të përdoren të gjitha rrugët dhe instancat shtetërore e ligjore.
“Ne kërkojmë bashkimin e të gjitha forcave në drejtim të kërkimit të drejtësisë dhe pafajësisë në të gjitha instancat shtetërore dhe ligjore. Edhe pse ende i kemi institucionet e paformuara dhe shumica janë me mandat në detyrë, kërkojmë që sa më shpejt të bëhet konsolidimi i tyre dhe të kemi një qëndrim unik e të përbashkët në nivel të Kosovës dhe në arenën ndërkombëtare”, shprehet Sopi.
Sipas tij, vendimi i Hagës është një çështje që, përtej dallimeve politike, kërkon një reagim të përbashkët institucional dhe shoqëror.
“Është një e keqe që i ka ndodhur vendit tonë. Po tentohet të kontestohet lufta jonë dhe, bashkë me të, edhe rruga drejt pavarësisë sonë. Prandaj kërkojmë unitet të përgjithshëm. Kjo çështje i përket të gjithë kombit tonë”, deklaron Sopi.
Ai vlerëson se UÇK-ja përfaqëson një nga projektet më të rëndësishme të historisë së re shqiptare.
Sopi thekson se Kosova duhet të përshpejtojë konsolidimin e institucioneve dhe të ndërtojë një qëndrim të përbashkët për përfaqësimin e interesave të saj në nivel ndërkombëtar.
“Duhet të jemi unikë në qëndrimin tonë, në Kosovë dhe jashtë saj. Kërkimi i drejtësisë duhet të jetë prioritet dhe të bëhet përmes të gjitha mekanizmave ligjorë dhe institucionalë që janë në dispozicion”, përfundon ai.