Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rama: Nga “pritja e rrejshme” në pritje reale për lirimin e ish-krerëve në Apel

Gazeta10
22 September 2026 - 23:35

Analisti dhe gazetari politik Fidan Rama ka thënë se pas vendimit të 16 shtatorit duhet të ketë veprime konkrete dhe një angazhim më të gjerë institucional e shoqëror në Kosovë.

Duke folur në emisionin “Adresa” në Kanal 10, Rama tha se veprimet e deritanishme, përfshirë iniciativat ligjore, kërkesën për financim nga shteti dhe protestat paqësore, tregojnë se nuk duhet pritur që gjithçka të zgjidhet vetëm përmes proceseve në Hagë.

Sipas tij, përveç këtyre veprimeve, Kosova duhet të bashkohet si strukturë shtetërore për ta shfrytëzuar edhe një mundësi të dytë përmes Apelit.

“Partia Demokratike e Kosovës me ligjin, kërkesa për financim nga shteti e deri te protestat paqësore që po i shohim çdo ditë, janë veprime reale që dalin përtej idesë së pritjes se çdo gjë do të kryhet mirë atje”, tha Rama.

Ai theksoi se puna duhet të zhvillohet në terren, duke përfshirë mbledhjen dhe analizimin e fakteve, angazhimin e instituteve, Akademisë së Shkencave, shoqërisë civile, partive politike, Qeverisë dhe mediave.

“Puna duhet të bëhet në terren. Kjo nënkupton gjithçka, duke u nisur prej hulumtimit, gjetjes së fakteve, angazhimit të instituteve, ndoshta edhe të Akademisë së Shkencave, shoqërisë civile, partive politike, Qeverisë, mediave dhe të gjithë të tjerëve që do të ofronin një proces në tavolinë”, deklaroi ai.

Rama tha se iniciativa ligjore duhet të marrë mbështetjen e të gjitha subjekteve politike, në mënyrë që, sipas tij, të përcillet një mesazh i qartë i unitetit institucional e politik.

Ai u shpreh skeptik se një mbështetje e tillë gjithëpërfshirëse mund të arrihet, por theksoi se në rrethanat aktuale iniciativat e PDK-së duhet të përkrahen dhe të çohen përpara.

“Rezultatin në terren nuk mund ta prodhojë vetëm PDK-ja, kjo është evidente. Ka nevojë për gjithëpërfshirje të të gjitha subjekteve politike”, tha Rama.
/Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.