
ShBA-të, Danimarka dhe Grenlanda nënshkruan sot një marrëveshje mbrojtjeje që i lejon Uashingtonit të ndërtojë dy baza të reja ushtarake në territorin arktik, ndërsa riafirmon sovranitetin e Kopenhagës mbi të.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York, Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se “do të nisim menjëherë procesin e krijimit të një pranie të madhe ushtarake në vendet e përshtatshme”.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha se marrëveshja ishte “e mirë për SHBA-të, Danimarkën dhe Grenlanden”, si dhe për Evropën dhe NATO-n.
Ndërsa kryeministri i Grenlands, Jens-Frederik Nielsen, e cilësoi atë si një marrëveshje ku “fitojnë të gjithë”, shkruan a2cnn
Më pas, të tre liderët nënshkruan marrëveshjen, duke i dhënë fund, me sa duket, më shumë se një viti tensionesh lidhur me territorin arktik.
Trump kishte kërcënuar se do ta “merrte” territorin gjysmëautonom të Arktikut, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare, pozicionin e tij strategjik për mbrojtjen dhe pasuritë minerare.
Retorika e tij shkaktoi reagime të forta nga groenlandezët, danezët dhe liderët evropianë, të cilët publikuan një deklaratë të përbashkët, ku thuhej se fjalët e tij “minojnë marrëdhëniet transatlantike dhe rrezikojnë një spirale të rrezikshme përkeqësimi”.
Marrëveshja e nënshkruar të martën ndryshon dhe rinovon një marrëveshje mbrojtjeje të vitit 1951 mes Danimarkës dhe SHBA-ve.