
Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar sonte në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, ku një person është plagosur dhe i njëjti është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, teksa akoma nuk dihen detajet e incidentit.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes ndodhen njësitë përkatëse të Policisë, ku janë sekuestruar dy gëzhoja dhe po kryhen ekzaminimet e nevojshme.
Zëdhënësi i policisë në Prishtinë, Agron Borovci për Gazeta10, ka bërë të ditur se një person ka mbetur i plagosur nga kjo ngjarje.
“Rreth orës 20:15, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë një person ka marrë plagë nga arma e zjarrit. Ndërkohë që i plagosuri është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka bërë të ditur Borovci për Gazeta10.