
Përballja e kampiones në fuqi, Pejës, me nënkampionen Trepçën, do të jetë edhe derbi kryesor i xhiros së 17-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Kjo xhiro do të luhet të shtunën dhe të dielën, por vëmendja do të jetë në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Kjo ndeshje nis në orën 19:00 të shtunën dhe Peja synon ta ndalë hovin e Trepçës, ekip që nuk di për humbje në nëntë ndeshjet e fundit.
Peja është e dyta me 28 pikë të mbledhura, dy më pak se Trepça që i prin në tabelë. Te Peja e kanë parasysh rëndësinë e këtij takimi dhe gjatë tërë javës janë përgatitur maksimalisht për ta mposhtur Trepçën.
Këto dy skuadra në stinorin vjeshtor janë përballur dy herë me njëra-tjetrën në elita, ku e kanë regjistruar nga një fitore. Peja pati triumfuar në shtëpi 92:80 në kuadër të xhiros së tretë, ndërsa Trepça iu pati revanshuar në Mitrovicë, duke e mposhtur me shifrat 91:71 në duelin që i takoi javës së dhjetë.
E shtunë
S. Prishtina – G.E. Ylli (17:00)
Peja – Trepça (19:00)
E diel
Vëllaznimi – P.C. Prizreni (17:00)
Istogu – Bashkimi (19:00)