Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

S’ka dakordim SBASHK-MASHT (VIDEO)

Gazeta10
10 Shtator 2022 - 18:57

Raporti:Viola Korça

Nxënësit mund të mos i kthehen bankave shkollore as gjatë javës së ardhshme, kjo për shkak se SBASHK-u dhe Ministria e Arsimit ende nuk po mund të dakordohen për ndërprerjen e grevës. Nga SBASHK-u kanë thënë se tani e tutje nuk do të shkojnë në takimet në të cilat qeveria nuk do të sillet si e barabartë, derisa ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se sindikalistët po shantazhojnë me greva, derisa është shprehur se është e gatshme për diskutime.

Bankat shkollore duket se do të mbesin të zbrasura edhe javën e ardhshme.

Kjo pasi që SBASHK-u dhe qeveria edhe më tej nuk po arrijnë të gjejnë në zgjidhje për ndërprerjen e grevës së punëtorëve të arsimit.

Nga SBASHK-u kanë thënë se tani e tutje nuk do të shkojnë në takime të cilat qeveria nuk sillet si e barabartë.

Sipas tyre, qeveria e Ministria e Arsimit po tregojnë se nuk e duan dialogun, e as zgjidhjen e kërkesave legjitime të grevistëve.

Tani e tutje përfaqësuesit legjitim të BSPK-së, pra Këshilli Grevist do të shkojë në takime, por vetëm atëherë kur qeveria sillet si palë e barabartë dhe zhvillon debat përmbajtjesor dhe merret me kërkesat e grevistëve. Takime në stilin ju sindikatat heshtni dhe pranoni ato që po themi ne nuk do të ketë më. Qeveria është i vetmi fajtor dhe deri sa ajo vazhdon me injorancë e fjalime të thata, greva do të vazhdojë sepse kështu kanë vendosur, jo individët, por grevistët.

Mirëpo, SBASHK-ut i ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se në çdo çast është e gatshme për bashkëpunim.

Përmes një shkrimi në rrjetin e saj social Facebook, ajo ka thënë se në situatën aktuale, greva më shumë është shantazh.

Pozicioni ynë legjitim është: Të fillojë mësimi. Shumica e kërkesave të mësimdhënësve janë plotësuar, vazhdojmë dialogun e mirëfilltë social. Sikur çdoherë deri më tani, edhe sot dhe çdo çast jam e gatshme për bashkëpunim. E hapur për rekomandime e kritika konstruktive. E vullnetshme për të punuar në avancimin të pozitës së mësimdhënësve ashtu si dhe në vlerësim e ridizajnim të politikave që shpiejnë në përmirësim të rezultateve. Arsimi në radhë të parë është çështje e përmbajtjes dhe cilësisë.

Ndërkaq, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kanë thënë se ekzekutivi duhet të gjejë kohë për hir të nxënësve dhe t’u kushtojë vëmendje kërkesave të tyre.

Derisa s’ka dakordim për ndërprerjen e grevës mes SBASHK-ut e Ministrisë së Arsimit, njohës të arsimit kanë ngritur shqetësime nëse kjo situatë do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë.

Nga SBASHK-u kanë thënë një ditë më parë se nëse qeveria reflekton gjatë vikendit, mund të arrihet një marrëveshje për ndërprerjen e grevës. / Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.