
Kreu i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ku do të marrë pjesë në ceremoninë e Lutjeve të Mëngjesit, e cila organizohet më 1 shkurt.
Për këtë udhëtim komuna që udhëhiqet nga Bulliqi tashmë e ka nxjerr edhe biletën për Washington të cilën do ta paguajë 990 euro, raporton Gazeta10.
Sipas njoftimit për dhënien e kontratës nga KRPP, zyra e Prokurimit në këtë komunë ka përzgjedh Operatorin Ekonomik nga i cili do ta blejnë biletën e udhëtimit për transport me aeroplan Prishtinë-Washington dhe anasjelltas.
Në këtë aktivitet të prokurimit ka marrë pjesë vetëm një kompani, pra ajo fituesja nga e cila do të blihet bileta.

Gazeta10 ka kontaktuar edhe me kryetarin Bulliqi, i cili ka pohuar se do të jetë pjesë e Lutjeve të Mëngjesit dhe se për në Washington do të niset më datën 29 janar.
“Po me 29 janar do të udhëtojë për në Washington ku edhe do të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit”, tha i pari i Podujevës.
Ndryshe, edhe këtë vit në Lutjet e Mëngjesit do të marrin pjesë disa kryetarë komunash, ku në mesin e tyre, kryetari i komunës së Skenderajt e ka bërë publike ftesën për këtë ceremoni.
Në Lutjet e Mëngjesit do të marrin pjesë edhe një grup i deputetëve nga Kuvendi i Kosovës, përfaqësues nga Presidenca, Qeveria e Kuvendi. /Gazeta10/