
Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, pritet që për herë të parë të ballafaqohen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Burime të Gazetës 10 bëjnë të ditur se kryeministri Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të diskutohet për situatën në Kosovë.
Ai dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla-Schwarz, kanë udhëtuar të mërkurën në mbrëmje për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kryeministri Kurti pritet të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet sonte në orën 21:00 sipas orës lokale të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Seanca do të mbahet sot duke filluar nga ora 21:00.
Ende nuk dihet nëse seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të jetë e hapur për publikun.
Serbia i ka dorëzuar një kërkesë misionit të Guajanës për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të situatës në Kosovë.
Serbia pretendon se gjendja aktuale në territorin e Kosovës është në “kontrast të thellë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Ditëve të fundit, në Kosovës hyri në fuqi një rregullore që përjashton dinarin nga qarkullimi.
Rregullorja e BQK-së, e cila kërkon që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysnin e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj. /GAZETA10/