Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Superliga e Rumanisë, ‘strehë’ e lojtarëve nga Kosova

Gazeta10
08 February 2024 - 13:41

Një shtet po del të jetë ‘strehë’ e futbollistëve nga Kosova, duke mos lënë anash as ata të Shqipërisë.

Bëhet fjalë për Rumaninë, liga elitare e së cilës po pëlqehet shumë nga futbollistët e Kosovës dhe jo vetëm, pasi pjesë e saj janë edhe disa lojtarë nga Shqipëria.

Liga numër një në Rumani ka të përfshirë pesë futbollistë nga Kosova, nga të cilët më i vlerësuari në treg është Albion Rrahmani me 1 milion euro.

Në fakt, Rrahmani është po ashtu futbollisti kosovar me më së shumti ndikim në ekipin e tij këtë sezon.

Ai ka shënuar 8 gola dhe ka dhuruar 2 asiste në vetëm nëntë ndeshje me Rapid Bucurestin këtë sezon.

Tashmë i njohur edhe si “Lewa” në Rumani, Albion Rrahmani iu bashkua Rapidit më 7 gusht 2023 nga skuadra kampione e Ballkanit.

Njëkohësisht, transferimi i Rrahmanit në Rumani është më i shtrenjti ndonjëherë i dalur nga Kosova, me shumën e transferimit që shkonte në 600 mijë euro.

Mirëpo, i pari nga lojtarët kosovar që gjeti rrugën në shtetit rumun ishte Ermal Krasniqi, i cili pas paraqitjeve fantastike, po ashtu me Ballkanin, i fitoi vetes një transferim te CFR Cluj.

200 mijë euro ishte vlera që Cluji pagoi për shërbimet e Krasniqit, për të cilin ishin njoftuar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, kur luante me Ballkanin.

Fillimi ishte i mirë, madje Krasniqi dhuronte “show” në çdo ndeshje, derisa erdhi në një moment kur e humbi vendin startues. Ndërrimi i trajnerit luajti rol të madh në këtë drejtim.  

Në 39 ndeshje me Clujin, Krasniqi arriti të festonte golin në 5 raste, gjersa asistoi shokët e skuadrës në 4 raste tjera.

Fiks, pas një viti, në janar të 2024-tës, Krasniqi ndërroi klub, por jo edhe ligën. Kësaj here, në derën e Krasniqit trokiti klubi tjetër që po i ‘pëlqente’ lojtarët kosovar, Rapidi i Bukureshtit.

Për 1 milion euro, Ermali iu bashkua bashkëkombasve të tij, Albion Rrahmanit e Florent Hasanit.

Florent Hasani është emri tjetër që po shkëlqen në futbollin rumun, e i cili po ashtu vjen nga Kosova.

Hasani është po ashtu lojtari tjetër që luan jashtë vendit, mirëpo që hapat e tij të parë në karrierë i mori në Superligën e Kosovës.

Si lojtarët paraprak që karrierën kishin bërë në Ferizaj, Malishevë e te Ballkani, edhe për Florent Hasanin është e njejta. Veçse ky i fundit e nisi te Vushtrria, vazhdoi te Trepça ’89 dhe nga aty mori rrugën për aventurën evropiane.

Hungari, Izrael, prapë në Hungari, Hasani shëtiti derisa u transferua te Tirana në Kategorinë Superiore të Shqipërisë.

Kur dukej se gjithçka ka përfunduar për të dhe se karriera po i shkonte drejt dështimit, ai ‘shpërtheu’ me Tiranën, duke shënuar 29 gola në 62 ndeshje.

Duke qenë një sulmues nuhatës i golit, ofertat për të nisën të vijnë drejt klubit nga kryeqyteti shqiptar.

Dy lojtarë nga Kosova nuk i mjaftuan, iu desh  edhe një që të kompletonte një treshe të sulmit që flet shqip dhe që ka rrënjët nga Superliga e Kosovës.

Ishte Rapidi i Bukureshtit që siguroi shërbimet e sulmuesit, duke paguar 300 mijë euro në drejtim të Tiranës.

Ndonëse nuk ka gjetur golin ende, në tri ndeshjet e para Hasani ka asistuar një gol, madje për Ermal Krasniqin, në ndeshjen e tij debutuese.

Te Cluji është edhe një lojtar me nënshtetësi kosovare, mirëpo i lindur në Zvicër. Ai është Rion Zejnullahu, i cili iu bashkua klubit rumun gjatë verës së kaluar nga Schaffhausen.

I fundit që siguroi një transferim në Rumani është po ashtu një tjetër lojtar i Ballkanit.

Është sulmuesi Albin Berisha, i cili gjatë këtij afati kalimtar të janarit u prezantua te Petroluli.

Ballkani mbushi arkat e klubit me 230 mijë euro, gjersa Berisha ‘fitoi’ transferimin jashtë vendit, atje ku po ‘lulëzojnë’ lojtarët nga Kosova, madje duke qenë nga lojtarët që po performojnë më së miri.

Berisha po ashtu është produkt nga Kosova, mirëpo disa vite të karrierës së tij i kaloi në ekipet e të rinjëve në Shqipëri. Pjesën më të madhe të karrierës së tij të deritanishme e kaloi në huazim mes Ballkanit, Lirisë e Malishevës.

Me Ballkanin, Albin Berisha arriti të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, gjersa arriti dy herë të triumfojë në Superligën e Kosovës.

Pjesë e elitës së futbollit rumun janë edhe tre lojtarë nga Shqipëria, me Arlind Ajetin (Cluj) si më i vlerësuar me 1 milion euro. Naser Aliji futbollin e tij e zhvillon te Voluntari, ndërsa Sherif Kallaku djersitë fanelën e Sepsi Gheorghe.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.