
Shteti i Iowas e ka njohur zyrtarisht 17 shkurtin si Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Pak më vonë, një gjë të tillë e bëri edhe shteti i Michiganit. Për këtë, Kosova u shpreh shumë falënderuese.
Për këtë vendim, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka falënderuar Guvernatorin e Iowas Kim Reynolds dhe Sekretarin e Shtetit të Iowas, Paul Pate.
“Faleminderit që u bashkuat me ne për të ngritur lart flamurin tonë dhe për të festuar miqësinë tonë të qëndrueshme dhe partneritetin strategjik, të cilin do të vazhdojmë ta forcojmë dita ditës”, shkroi Osmani në X.
Në njoftimin e postuar në platformën X, Ambasada ka falënderuar Guvernatorin Kim Reynolds dhe Sekretarin e Shtetit të Iowas, Paul Pate për këtë vendim.
“Kjo deklaratë është një dëshmi e vërtetë e miqësisë dhe partneritetit të thellë që gëzojnë Kosova dhe Iowa”.

Edhe shteti i Michiganit ka vendosur ta bëjë të njëjtën gjë.
Përmes një vendimi, Guvernatorja e shtetit, Gretchen Whitmer e ka shpallur 17 shkurtin 2024, si Ditën e Pavarësisë së Kosovës në këtë shtet.
Në vendim thuhet se shteti i Miçiganit ka kënaqësinë t’u bashkohet shqiptaro-amerikanëve anembanë shtetit për të njohur 17 shkurtin 2024 si Ditën e Pavarësisë së Kosovës.