
Java Multimedia Production, kompania amë e TV 10, Radio 10 dhe Gazeta 10, kanë arritur sot marrëveshje partneriteti me fondin investiv gjerman, BKI Assets und Investments, me seli në Munchen të Gjermanisë.
Përfaqësues i BKI-së, Karl Heinze Kraus në një intervistë në emisionin “Politiko” me Kushtrim Sadikun në Kanal 10, ka thënë se qëllimi i tyre është që televizionin e gazetarëve ta bëjnë numër 1 në Kosovë.
“Qëllimi ynë është që Kanalin10 ta bëjmë mediumin numër 1 në Kosovë”, ka thënë ai.
Kraus ka thënë se përmes Kanal10 synojnë që të kontribuojnë edhe në ekonominë kosovare.
“Janë shumë qëllime, për të përkrahur gazetarët, dy- tri vitet e fundit kam parë se në Kosovë ka shumë gjëra e shumë projekte që ne në Gjermani as që i njohim dhe këto projekte, këto gjëra në dëshirojmë që t’i plasojmë në media, të bisedojmë për to dhe pastaj t’i transmetojmë edhe në Gjermani dhe në Zvicër.
Përmes këtij kanali ne synojmë që prodhimet e Kosovës t’i prezantojmë atje për atë se çka ka këtu se çka prodhoni ju këtu, në mënyrë që ta ndihmojmë eksportin dhe këtë dëshirojmë ta bëjmë përmes Kanalit 10”, është shprehur ai.
Tutje ai ka thënë se Kanal10 do të shtrihet edhe në vende tjera përveç Kosovës.
“Qëllimi është që Kanalin 10 jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Gjermani, Zvicër, Austri që ta zgjerojmë atë. Ideja është që të kalojmë edhe në sferën e radios”. /GAZETA10/