Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gërvalla në NATO, flet për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Gazeta10
13 March 2024 - 23:23

Gjatë vizitës së punës në selinë e NATOS, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla pati një takim me Irene Fellin, Përfaqësuese e Posaçme e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Grave, Paqes dhe Sigurisë.

Për këtë takim ka njoftuar zyra për media e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Gjatë kësaj bisede, ministrja Gërvalla ndau me znj. Fellin përvojën e Republikës së Kosovës në forcimin e pozicionit të gruas në profesione të fushës së sigurisë, shembujt e shumtë të profesionisteve të jashtëzakonshme në të gjitha strukturat e larta të sigurisë, rolin e fuqishëm të gruas në përgjithësi si dhe përpjekjet e institucioneve për të hapur, përmes formave të ndryshme të stimulimit, horizonte të pashkelura profesionale për vajzat dhe gratë e reja në Kosovë”.

“Biseda u përqendrua edhe në përvojën e dhimbshme të më shumë se 20 mijë grave, fëmijëve dhe burrave në Kosovë, të cilët mbijetuan dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, e cila u përdor si armë lufte kundër tyre. Ministrja Gërvalla shprehu gatishmërinë e institucioneve dhe shoqërisë civile për të kontribuar në Ukrainë me përvojën e mbledhur përgjatë viteve në trajtimin e nevojave të të mbijetuarve”.

“Duke marrë në konsideratë faktin që autorët e dhunës seksuale si armë lufte ndaj qytetareve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk u ballafaquan asnjëherë me drejtësinë, ministrja Gërvalla vuri në pah nevojën e një angazhimi të bashkësisë ndërkombëtare për t’ia bërë dije Serbisë urgjencën dhe domosdoshmërinë e dënimit të autorëve të krimit nga radhët e policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve të ardhur nga Serbia.  Me znj. Fellin u diskutuan edhe fusha të tjera, në të cilat Republika e Kosovës mund të kontribuojë konkretisht në paqen dhe sigurinë në rajon, por edhe më gjerë”, thuhet në njoftim./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.