Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

Si do të dukej “Liga Unike” e futbollit?

Gazeta10
04 April 2024 - 17:24

Ndonëse politikisht jemi të ndarë në dy shtete, ‘shpirtërisht’ jemi afër me njëri-tjetrin.

Kosova e Shqipëria gjithmonë ishin cak i armiqëve dhe synimi i tyre ishin t’i ndanin këto troje.

Ëndrra e çdo shqiptari është që të krijohet “Shqipëria Etnike”, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, disa pjesë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Greqia.

Megjithatë, edhe pse në aspektin politik e gjeografik jemi të ‘ndarë’, është ai sportiv që i bëri bashkë shqiptarët nga Kosova e Shqipëria.

Sporti i basketbollit i mblodhi 8 klube nga Superliga e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, në një kompeticion të quajtur “Liga Unike”.

Fitues u shpall Trepça, pasi mposhti në finale Yllin. Pjesë  e gjysmëfinales ishin edhe Peja e Prishtina.

Konkurrenca nga klubet e Shqipërisë ishte e dobët, dhe kështu ato nga Kosova dukeshin sikur të ishin ‘superiore’.

Futbolli ende nuk ka arritur deri në këtë pikë që t’i bashkojë gjithë klubet shqiptare në një ligë të vetme, mirëpo po të ndodhte, sigurisht se konkurrenca do të ishte shumë, shumë më e madhe.

“Gazeta10” e ka formuluar një tabelë prej 20 ekipeve nga të gjitha trevat shqiptare.

Një luftë e madhe do të dukej për vendin e parë, pasi për momentin, disa klube shqiptare kanë pikët e njejta në këtë fazë të sezonit. ‘Zjarr’ do të ishte edhe për kalim në garat evropiane dhe për mbijetesë.

Deri në ditën e sotme, më 4 prill, tabelës sonë do t’i printe Struga me 54 pikë në 25 ndeshje të luajtura.

Pikë të njejta kanë edhe Llapi e Egnatia në pozitën e dytë dhe të tretë respektivisht, por kanë golaverazh më të dobët se skuadra kampionë në fuqi e Maqedonisë së Veriut.

Kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani zë pozitën e katërt në këtë tabelë me 53 pikë, aq sa ka edhe skuadra lidere në Malin e Zi, Deçiqi në vendin e pestë.

Në vendin e shtatë gjendet tre herë kampioni i Kosovës, Drita me 51 pikë.

4 herë kampioni në Maqedoninë e Veriut, Shkëndija është në pozitën e nëntë dhe ka vetëm 48 pikë në emrin e saj.

E befasia e kësaj sezone në Superligën e Kosovës, Malisheva ‘peshon’ në vendin e 10-të, me 48 pikë dhe me golaverazh më të dobët se Shkëndija.

Kampioni aktual i Shqipërisë, Partizani renditet i 11-ti me 47 pikë, larg vendit të parë në tabelë edhe në Shqipëri, edhe në “Ligën Unike” të futbollit.

Ekipi më i trofeshëm në Kosovë, skuadra kryeqytetase e Prishtinës pozicionohet e 14-ta në listë me 39 pikë. Pikë të njejta ka edhe skuadra nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana.

Tri vendet e fundit janë të zëna nga Laçi e Gostivari me 32 pikë të tubura, derisa vendi i fundit i përket Erzenit me vetëm 28 pikë të grumbulluara.

TABELA E PLOTË:

  1. STRUGA – 54 PIKË  
  2. LLAPI – 54 PIKË
  3. EGNATIA – 54 PIKË
  4. BALLKANI – 53 PIKË
  5. DECIC – 53 PIKË
  6. SHKUPI – 51 PIKË
  7. DRITA – 51 PIKË
  8. VLLAZNIA – 50 PIKË
  9. SHKENDIJA – 48 PIKË
  10. MALISHEVA – 48 PIKË
  11. PARTIZANI – 47 PIKË
  12. DINAMO – 42 PIKË
  13. SKENDERBEU – 40 PIKË
  14. PRISHTINA – 39 PIKË
  15. TIRANA – 39 PIKË
  16. DUKAGJINI – 35 PIKË
  17. TEUTA – 34 PIKË
  18.  LAÇI – 32 PIKË
  19. GOSTIVARI – 32 PIKË
  20. ERZENI – 28 PIKË

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.