
Raporti: Viola Korça/Kanal10
Kërkesën e kryeministrit Kurti që ministrat e tij të raportojnë me shkrim për punën e tyre, e kanë kundërshtuar partitë opozitare. Deputetë të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, kanë thënë se një gjë e tillë dëshmon papjekurinë për të qeverisur me vendin. Madje, ka pasur prej tyre që kanë thënë se një metodë e tillë është komuniste dhe populiste, shkruan Kanal10.
Partitë opozitare kanë adresuar kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, i cili u ka kërkuar raport ministrave për punën e tyre.
Kurti këtë raport me shkrim të ministrave e ka kërkuar për javën e ardhshme, kur ai do të numërojë një vit e gjysmë në krye të qeverisjes në vend.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, një formë të tillë të raportimit e ka cilësuar si metodë komuniste dhe populiste.
Kurse, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se kërkesa e Kurtit për raportim me shkrim të ministrave të tij, tregon papërvojë politike për të qeverisur me vendin.
Kurse, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka thënë se kreu i ekzekutivit duhet të dijë për rezultatet e qeverisjes pa kërkuar raporte me shkrime për ministrat.
Të mërkurën, kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se do të kërkojë nga ministrat e tij raport me shkrim për punën e deritanishme, në të cilin sipas tij, duhet të paraqiten pesë të arriturat kryesore, si dhe të këqijat që janë ndalur gjatë kësaj qeverie. /Gazeta10