
Emisioni “Kampionët” vazhdon edhe këtë të diel, kësaj here me detaje ekskluzive.
Emisionin e hapi një rrëfim ekskluziv i një futbollisti i pranishëm në ndeshjen Ferizaj – Ulpiana, duke thënë se ajo ndeshje ka qenë e trukuar.
Futbollisti në fjalë, identitetin e të cilit do ta mbrojmë si redaksi, thotë se ajo ndeshje ka qenë e trukuar, madje trukimi i saj ka nisur qysh disa ditë para takimit.
“Disa ditë pas shkarkimit të Emin Bajramit, ka pasur ndryshime të mëdha. Kemi qenë në karantinë në “Brezovica Hotel”, aty kur na kanë bërë presion që të lëshojmë ndeshjen, duke na ofruar premia” – ka thënë fillimisht ai.
Tutje, ai vazhdon duke thënë se futbollistët nuk qenë të pajtimit për të lëshuar ndeshjen, dhe kështu vendosën njëzëri që të luajnë në mënyrë të drejtë.
“Ishim kundër ta lëshojmë ndeshjen, të gjithë lojtarët, mirëpo në ditën e ndeshjes na është bërë me dije se dy nga futbollistët e ekipit tonë vendosën të kalojnë në krahun e kundërt. Presidenti i klubit është futur edhe në zhveshtore mes pjesëve, duke bërë presion në drejtim tonin për ta lëshuar ndeshjen” – tha ai.
Për fund, ai po ashtu tha se edhe ndeshja mes Ulpianës e Vllaznisë ka qenë po ashtu e kurdisur, siç është konfirmuar edhe nga FFK-ja.
“Sipas informacioneve të mia nga brenda klubit, edhe ndeshja me Vllazninë ka qenë e trukuar, kjo është e konfirmuar 100% nga lojtarët e pranishëm, madje vërehet edhe në fushën e lojës, kur lojtarët kundërshtar nuk festojnë fare kur shënojnë golin e fitores” – përfundoi ai.
Ulpiana e Vllaznia janë përjashtuar nga Liga e Parë, dhe nga sezoni i ardhshëm do të luajnë në Ligën e Dytë.