Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Abraham: Komiteti i Ministrave ta pranojë Kosovën në KiE, e vetmja rrugë për të shkuar para

Gazeta10
05 May 2024 - 16:48

Deputeti i Bundestagut gjerman, Knutt Abraham, ka thënë se Komiteti i Ministrave ka dy zgjedhje sa i përket votimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas tij, ose duhet të veprohet në vlerat dhe standardet evropiane që Kosova të pranohet në maj, ose të injorohet vlerësimi i detajuar i juristëve të shquar, i tre raportuesve,i tre komisioneve dhe i Asamblesë Parlamentare të KiE.

“Megjithatë, kjo do të dërgonte një sinjal të dëmshëm për deputetët dhe qytetarët në rajon: se shtetet mund të injorojnë standardet sipas dëshirës”.

“Nga ky vendim varet besueshmëria e institucionit, mbrojtja e të drejtave të pakicave në Kosovë (Plani i Ahtisaarit) dhe stabiliteti i rajonit. Nëse respektojmë standardet dhe vlerat, atëherë pranimi i Kosovës në maj është e vetmja rrugë përpara”, ka shkruar Abraham në platformën X.

Raporti për Kosovën i Dora Bakoyannis për anëtarësimin në Këshill të Evropës ka kaluar me sukses edhe hapin e dytë në Asamblenë Parlamentare, duke mbetur kështu vetëm hapi final, mundësia e tij e parë më 16 maj.

Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.

Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia nuk u miratuan.

Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Votimi i suksesshëm sot, hap rrugë për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës e ka më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit.

Kosova bëri një hap para në kërkesën e saj për anëtarësim në organizatën e të drejtave të njeriut në fund të muajit të kaluar kur Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet që Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Këtij votimi të suksesshëm i parapriu edhe urdhri i Qeverisë së Kosovës ndaj Kadastrit që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit, duke zbatuar kështu një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Më 27 mars 2024, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për Kosovën, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.