
Italia do të shkojë në Gjermani pa emra si Acerbi e Scalvini, të cilët u dëmtuan së fundi, teksa në dyshim është edhe mesfushori i Interit, Nicolo Barella, i cili mungoi në miqësoren ndaj Turqisë për shkak të një problemi fizik.
Trajneri Luciano Spalletti qetësoi tifozët italianë, duke dhënë garanci për Barellën, teksa zbuloi edhe më shumë detaje për gjendjen e tij fizike.
“Unë u besoj mjekëve dhe ata janë të sigurt që Barella do të rikuperohet për të qenë gati që në ndeshjen e parë të Europianit. Është shumë i rëndësishëm për ne, pasi luan prej disa vitesh titullar, por duhet të shohim ditë pas dite ecurinë e rikuperimit”, u shpreh Spalletti.
Trajneri italian ka në dispozicion 29 futbollistë dhe tre prej tyre do të duhet t’i kthejë në shtëpi më 9 qershor, kur të dorëzojë listën përfundimtare në UEFA, por në konferencën për shtyp nuk ka dhënë orientime mbi ata që nuk do t’ia dalin të shkojnë në Gjermani.