
Diplomati gjerman, Wolfgang Ichinger, u demantua nga deputeti i VV-së, Haki Abazi, rreth asaj se kush e propozoi modelin e dy Gjermanive. Derisa Ichinger tha se ishte ai që e ka propozuar këtë model, Abazi sot tha se marrëveshja sipas modelit të dy Gjermanive “është model i propozuar në vitin 2006 nga qarqet e Beogradit”.
Në një postim në Facebook, Abazi ka thënë se ky propozim është gabim dhe i papranueshëm.
Ai tha se këtë propozim Kosova mund ta pranojë në raport me Shqipërinë, por assesi në raport më Serbinë.
“Marrëveshja sipas modelit të dy Gjermanive është model i propozuar në vitin 2006 nga qarqet e Beogradit. Ky propozim në thelb është gabim dhe i papranueshëm. Kosova mund të pranojë këtë model në raport me Shqipërinë me perspektivën e bashkimit me Shqipërinë si kundërpërgjigjëje ndaj sabotimit të Serbisë dhe shtrirjes së influencës Ruse dhe Kineze në Balkan por asesi në raport me Serbinë. Pavarësia e Kosovës është projekt i kompromisit për Paqe dhe jo falje ndaj Serbisë dhe krimeve që ajo ka bërë mbi shqiptarët në më shumë se dy shekuj radhazi”, ka shkruar Abazi.