Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Scholzi në takim të rrallë me Vuçiqin për “marrëveshjen e litiumit”

Gazeta10
16 July 2024 - 23:51

Pavarësisht se është lënë kryesisht si i izoluar nga liderët perëndimorë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke u kthyer sërish në qendër të vëmendjes politike falë oreksit të pangopur të Bashkimit Evropian – dhe veçanërisht Gjermanisë – për lëndët e para të nevojshme për prodhimin e automjeteve elektrike, shkruan “Politico” të martën.

Kancelari gjerman Olaf Scholz planifikon të udhëtojë në Beograd të premten në një vizitë të papritur për të marrë pjesë në nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis BE-së dhe Serbisë për importimin e mineraleve, përfshirë litiumin, që janë kritike për tranzicionin digjital dhe të gjelbër të BE-së.

Vuçiqi ishte kryesisht i izoluar mes liderëve evropianë për shkak të flirteve me Rusinë dhe Kinën, tensionet me Kosovën dhe akuzat për mashtrime zgjedhore.

Gjermania, si prodhuesi më i madh i veturave në BE, ka interes të madh në sigurimin e litiumit – veçanërisht brenda Evropës për të reduktuar varësinë nga Kina. Sidoqoftë, është e pazakontë që Scholzi të bëjë një udhëtim si ky dhe ta njoftojë veç pak ditë para se të ndodhë. Zyra e kancelarit nuk ka pranuar të komentojë.

Qeveria e Serbisë njoftoi të martën se do të rifillonte punën në një projekt të minierave të litiumit në perëndim të vendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese javën e kaluar që përmbysi anulimin e operacioneve në miniera. Qeveria në Beograd pati ndaluar projektin dhe pati anuluar licencat e dhëna për gjigantin e minierave britaniko-australiane “Rio Tinto” pas protestave masive më shumë se dy vjet më parë.

Në ceremoninë e nënshkrimit mes Scholzit dhe Vuçiqit pritet të marrë pjesë edhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shefcovich.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.