Lajme

Trupi i Faton Hajrizit në Kosovë 3 javë pas vrasjes, para varrimit i bëhet autopsia

Gazeta10
09 Gusht 2024 - 12:51

Fiks tri javë nga dita kur autoritetet serbe deklaruan se Faton Hajrizi është vrarë, trupi i tij është kthyer në Kosovë. Menjëherë, institucionet kanë nisur të kryejnë procedurat mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij. Analiza e fundit me strishon e gojës së nënës së tij e kryer në Serbi sipas Avokatit Arianit Koci, kanë vërtuar se i vrari është Faton Hajrizi.

Në orët e para të mëngjesit të së premtes, nëna dhe vëllai i Faton Hajrizit, kanë dalë në pikëkalimin kufitar në Merdare për të pritur kthimin e trupit  në prani edhe të prokurorit të shtetit.

Trupi i tij mbërriti në territorin e Kosovës rreth orës 02:00. Avokati Arianit Koci, i cili ka marrë përsipër kthimin e trupit, tha se procedurat e tjera tash janë në dorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë.

Procedurat për kthimin e trupit janë zvarritur nga autoritetet serbe. Koci kishte shkuar në Serbi më 25 korrik, mirëpo nuk ishte lejuar as ta shihte trupin. Autoritetet serbe kishin kërkuar që të paraqitej atje edhe nëna e Fatonit, për të marrë përshtymën e saj për të identifikuar trupin.  Ajo nuk kishte shkuar fizikisht, por strishoja ishte dërguar pesë ditë më pas.

Koci deklaroi para gazetarëve se çkado që ka pranuar nga autoritetet serbe lidhur me këtë rast, i ka dorëzuar në prokurori dhe polici.

“Trupi i është dorëzuar Institutit të Mjekësisë Ligjore, prokurorëve dhe policisë. Ata vazhdojnë tash me procedura të mëtutjeshme. Tash është në kompetencë të prokurorit. Ai besoj që deri të hënën, të martën i kryen të gjitha procedurat. Të gjitha çka i kom marrë, ia kam dorëzuar prokurorisë, policië”, deklaroi Koci.

Pas minuta pas hyrjes në territorin e Kosovës, për T7 folën edhe nga kompania që transportoi kufomën.

Avni Elezi nga kompania “Funeral”, ka thënë për Frontal se trupi i pajetë i të riut nga Kosova nuk është mirëmbajtur nga morgu ku kufoma ka qëndruar për gati 3 javë. Elezi ka thënë se autoritetet në Serbi nuk kanë lejuar hapjen e arkivolit.

“Nuk e kanë pas mundësinë me e hap, nuk na kanë leju me e hap në asnjë mënyrë arkivolin e Fatonit. Gjendja e arkivolit është e mbyllur hermetikisht është arkivol i metalt brenda ku nuk ka mundësi mu pa trupi e as mu prek. Nuk këna pas mundësi me e hap absolutisht. Nuk kemi mujtë me vërejt diçka, sepse arkivoli ka qenë hermetikisht i mbyllur”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, trupi i Fatonit mund të jetë dëmtuar për shkak se në morg nuk është mirëmbajtur siç duhet.

“Krejt varet si mirëmbahet në morg, nëse i bahet balsamimi nuk ka probleme, por në këtë rast nuk është bërë. I bie që trupi mundet me kanë i dëmtuar mund të ketë erë, të jetë trupi i nxirë”, ka thënë Elezi .

Arritjen e trupit në Kosovë e konfirmoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. MPJD bëri me dije se kanë filluar procedurat mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik që trupi i pajetë i qytetarit të Kosovës, i raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë, tashmë ka mbërritur në Kosovë. Pas mbërritjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij”, njoftoi MPJD’ja sot.

Nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës kanë urdhëruar që trupi fillimisht të identifikohet, e më pas të procedohet me autopsinë.

“Ai tha se mbrëmë në pikën e kalimit kufitar në Merdarë, ku edhe ka arritur trupi i personit të vrarë, ka dal edhe prokurori i rastin.“Prokurori mbrëmë ka dal në Merdarë edhe ka urdhëruar që trupi fillimisht të identifikohet e mandej të bëhet autopsia”, ka deklaruar sot zëdhënësi i Prokurorisë, Valon Preteni.

Leja për tërheqjen e trupit të Hajrizit, u dha mbrëmë nga Prokuroria e Qarkut të Beogradit. Trupi i Hajrizit po mbahej në morgun e Lloznicës, derisa procedurat për tërheqje u kryen nga Koci, i mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, Ambasadori Jetish Jashari.

Faton Hajrizi u arratis nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë më 6 korrik të këtij viti. Pak ditë më vonë, ai u bë i dyshuar dhe u shpall në kërkim për vrasjen e një polici në Serbi. U vra deri sa ishte në arrati nga autoritetet serbe më 19 korrik.

Sipas mediave serbe, ai po strehohej në një fabrikë të braktisur. Për të shkuar atje, i ishin nevojitur 2 orë e 44 minuta. Distanca prej vendit ku u vra polici serb dhe kësaj fabrike raportohet se është 11.4 kilometra.

Ditët para vrasjes së tij, por edhe pas vrasjes, llogari të ndryshme në rrjetet sociale shpërndanë shkrime për Hajrizin dhe fotografi të tij, të shoqëruara me epitete të ndryshme, si “hero” dhe “trim”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos e madhërojnë Hajrizin.

“I ftoj qytetarët e vendit tonë të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit”, kishte deklaruar Kurti, në një mbledhje të Qeverisë.

Kurti kishte thënë se sqarimi i rrethanave që nga ikja e Hajrizit në drejtim të Serbisë e deri te vrasja e tij e raportuar, “kërkon një hetim vendor dhe ndërkombëtar”.

Edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë se Hajrizi nuk mund të quhet hero për shkak të veprave të rënda penale që ka kryer dhe dënimeve që ka marrë për to.

“Nuk mund ta quajmë hero një person që ka vepra të rënda, që ka plagosur Policinë e Kosovës që është dënuar për vepra të rënda”, kishte deklaruar Haxhiu.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.