
Paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës së Ibrit kanë nxitur reagim të madh të faktorit ndërkombëtar në vend.
Ata kanë kërkuar që për hapjen e urës mbi lumin Ibër të Kosova dhe Serbia të bisedojnë në Bruksel.
Për këtë temë në emisionin ‘Raport’ në Kanal10, ka folur drejtori i këtij televizioni dhe gazetari Arben Ahmeti .
Ai është shprehur optimist për hapjen e urës së Ibrit, pasi sipas tij, tashmë janë shuar të gjitha arsyet për mos hapjen e saj.
“Hapja e urës do të ndodh për shkak se janë shuar arsyet që ajo mos të hapet. Është policia e Kosovës që po siguron se në rast të hapjes së urës nuk do të këtë tensionim të situatës dhe për KFOR-in mjaftueshëm është kjo. Nëse edhe KFOR e bën një vlerësim të situatës dhe e sheh që nuk ka rrezik që të bëhen veprime të cilat qojnë në tensionim dhe përplasje të qytetarëve, atëherë ai vet do të largohet nga ura”, ka thënë Ahmeti, raporton gazeta10.
Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i ndal deputetët e partisë në pushtet nga deklaratat e tyre patriotike dhe nacionaliste.
“Çdo veprim atje nuk bëhet kundër dikujt, por bëhet pro sovranitetit dhe shtrirjes së ligjit dhe mirëqenies së qytetarëve të asaj pjesë të vendit”, ka thënë Ahmeti. /Gazeta10/