Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Franca krijon rezervë të re ushtarake, mijëra të rinj i bashkohen programit vullnetar

Gazeta10
31 August 2026 - 23:15

Franca ka vënë në zbatim këtë javë programin e saj të ri të shërbimit kombëtar vullnetar, me synimin për të rritur kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe për të krijuar një rezervë të re të mundshme për forcat e armatosura.

Rreth 3 mijë të rinj përbëjnë grupin e parë të pjesëmarrësve, të cilët do të angazhohen për një periudhë 10-mujore. Programi i ri vjen në vend të shërbimit të mëparshëm kombëtar universal, i cili tashmë është hequr.

Pesë javët e para do t’u kushtohen trajnimeve bazë ushtarake.

Gjatë kësaj periudhe, të rinjtë do të mësojnë rregullat e disiplinës ushtarake, do të zhvillojnë stërvitje fizike dhe ushtarake, do të mësojnë këngë ushtarake dhe do të trajnohen për përdorimin e armëve.

Pas përfundimit të fazës fillestare, pjesëmarrësit do të shpërndahen në njësitë e ushtrisë, forcave ajrore dhe marinës franceze. Për momentin, angazhimi i tyre do të kufizohet brenda territorit të Francës.

Në kuadër të programit, shteti do t’u sigurojë pjesëmarrësve akomodim, ushqim dhe veshmbathje, ndërsa secili prej tyre do të marrë një pagesë mujore prej 800 eurosh.

Përzgjedhja e grupit të parë është bërë përmes aplikimeve dhe në bazë të motivimit të kandidatëve, pa u vendosur si kusht zotërimi i një diplome universitare.

Autoritetet franceze planifikojnë ta zgjerojnë gradualisht programin. Synimi është që numri i pjesëmarrësve të arrijë në 10 mijë në vit, ndërsa deri në vitin 2035 parashikohet të shkojë deri në 50 mijë persona në vit.

Një prej objektivave kryesorë të ushtrisë franceze është që ky program të krijojë një bazë të re të rinjsh, të cilët në të ardhmen mund t’i bashkohen forcave të armatosura ose rezervës ushtarake.

Megjithatë, qeveria nuk synon që programi vullnetar të shndërrohet në shërbim të detyrueshëm kombëtar.

Forcat e armatosura të Francës kanë aktualisht rreth 200 mijë pjesëtarë dhe nuk do të kishin kapacitet për të trajnuar një brez të plotë të të rinjve, i cili mund të përfshijë rreth 700 mijë persona në vit.

Kostoja financiare është një tjetër faktor që e vështirëson rikthimin e shërbimit të detyrueshëm.

Vetëm programi aktual vullnetar pritet t’i kushtojë buxhetit francez rreth 1 miliard euro deri në vitin 2030, nëse pjesëmarrja arrin në 10 mijë të rinj çdo vit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.