
Refki Morina, ish-zëdhënës i Policisë së Kosovës ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti ka vepruar drejt duke kërkuar përgjigje nga institucionet përgjegjëse për mënyrën se si është trajtuar rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt.
I ftuar në emisionin “Politiko” në Kanal 10, Morina tha se kërkesa për raportin mbi këtë rast duhet të pasohet me përgjegjësi konkrete, përfshirë edhe masa penale e disiplinore ndaj personave që mund të kenë shkelur dispozitat ligjore.
“Mendoj se kryeministri ka vepruar mirë, por duhet të jetë konsekuent në fjalën që e ka dhënë, në mënyrë që t’u kërkohet përgjegjësi edhe Ministrisë së Drejtësisë, edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Duhet të shqyrtohet nëse personat që i kanë shkelur dispozitat ligjore duhet të marrin përgjegjësi penale, por edhe disiplinore”, deklaroi Morina.
Ai theksoi se institucionet duhet të angazhohen në mënyrë të koordinuar, në mënyrë që rasti të mos mbetet vetëm temë diskutimi në studio televizive.
“Nuk duhet të lëshohet pe. Duhet të mobilizohen të gjitha forcat dhe institucionet, që ky rast të mos mbetet vetëm në studio”, u shpreh Morina.
Ndërkohë, kryeministri Kurti ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë kanë edhe 54 orë për ta përfunduar raportin, i cili pritet të identifikojë dështimet e mundshme institucionale në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.