
Qëndresa Hyseni nga Kolektivi për Veprim Feminist ka kërkuar shkarkimin e zyrtarëve të përfshirë në trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe ndjekjen e tyre penale.
Në “Politiko” në Kanal 10, Hyseni ka thënë se protesta e thirrur pas rastit të Arlinda Zekajt do të vazhdojë çdo ditë, ndërsa ndaj institucioneve do të ketë ultimatume për përmbushjen e kërkesave të protestuesve.
Ajo ka theksuar se përveç shkarkimit të zyrtarëve përgjegjës, duhet të ketë edhe përgjegjësi penale për personat që kanë qenë të përfshirë në trajtimin e rastit.
“Për dallim prej protestave të tjera që i kemi thirrur, kjo ka vazhduar përditë dhe ka me pasur ultimatume për institucionet, që përfshijnë shkarkimin e krejt zyrtarëve që kanë qenë të përfshirë në rast. Përveç shkarkimit, duhet të ketë edhe ndjekje penale”, ka deklaruar Hyseni.
Ajo ka kritikuar edhe mënyrën se si institucionet po trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave, duke thënë se nuk mund të pritet që të ndodhin edhe vrasje të tjera, ndërsa mbahen seanca që, sipas saj, nuk prodhojnë rezultate konkrete.