
Analisti politik, Basri Muja, ka thënë se rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt nuk duhet të trajtohet vetëm si krim i rëndë apo tragjedi familjare, por si një moment për të shqyrtuar funksionimin e mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e viktimave të dhunës.
Duke folur për këtë rast, Muja ka theksuar se mbrojtja e grave dhe fëmijëve në nevojë vazhdon të jetë një sfidë e madhe, ndërsa ka kritikuar reagimin e shoqërisë dhe institucioneve ndaj vrasjeve të grave.
“Ky rast nuk duhet të merret vetëm si krim i rëndë, asesi si një tragjedi familjare, por mendoj se është një moment kur duhet ta shqyrtojmë përgjithësisht funksionimin tonë për mbrojtjen e viktimave, në këtë rast të grave dhe fëmijëve në nevojë. Duket se në këtë pikë kemi probleme të mëdha”, ka deklaruar Muja.
Ai ka përmendur edhe shifrën prej tetë vrasjesh të grave gjatë këtij viti, duke thënë se përsëritja e rasteve të tilla rrezikon ta bëjë dhunën një dukuri të normalizuar në shoqëri.
“Për të qenë i sinqertë, më duhet të them se kemi filluar të mësohemi me këto vrasje. Është bërë një normë. Ndodh një vrasje, dalim në protestë dhe shpresojmë se do të ketë ndryshime, por pastaj kthehemi në rutinën e zakonshme, vjen rasti tjetër dhe prapë nuk ka ndonjë veprim konkret”, është shprehur ai.