
Analisti politik Arton Demhasaj ka kritikuar deklaratat e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, të bëra në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, e cila ishte thirrur për të diskutuar për dhunën me bazë gjinore ndaj grave.
Duke folur sonte në emisionin “Politiko”, Demhasaj ka thënë se është e papranueshme që përfaqësuesit politikë të fajësojnë njëri-tjetrin, në vend që të bashkohen për të gjetur zgjidhje konkrete për këtë problem.
“Është e tmerrshme, është e turpshme kur i sheh deputetët e Kosovës, të asaj partie e të kësaj partie, duke e fajësuar njëri-tjetrin. Duhet të ulemi të gjithë, si shoqëri, si shtet, si qeveri e si Kuvend, për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, sepse jemi bërë për marre të Zotit”, ka deklaruar Demhasaj.
Ai ka thënë se Kosova duhet ta trajtojë me seriozitet dhunën ndaj grave, duke përmendur edhe rastet e raportuara ndër vite në Shqipëri, të cilat, sipas tij, shpesh kanë marrë vëmendje për shkak të përfundimit tragjik.
Demhasaj ka shprehur shqetësim edhe për deklaratën e ministres Gërvalla lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, duke iu referuar pretendimit se ajo nuk i ishte drejtuar Qeverisë për ndihmë.
“A ka gjë më të tmerrshme sesa ta dëgjosh ministren e Drejtësisë duke dalë e duke thënë se Adelina nuk iu drejtua Qeverisë për ndihmë dhe ndoshta nuk do të kishte ndodhur kjo? Ma bre, është e tmerrshme”, është shprehur Demhasaj.