
Policia e Tiranës ka arrestuar një kineze dhe ka shpallur në kërkim një tjetër pasi akuzohen se rekrutonin vajza të huaja në kryeqytet dhe i shfrytëzonin për prostitucion.
Blutë e Tiranës bëjnë me dije se 52-vjeçarja Yhong Yang dhe 38-vjeçarja N.D nëpërmjet rrjeteve sociale rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze, të cilat i akomodonin në një ambient të marrë me qira të përshtatur për shfrytëzim prostitucioni dhe më pas duke përdorur faqen “Escort Tirana” i shfrytëzonin për prostitucion.
Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy autoret e dyshuara me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana”, ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekrutuara.
Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se 38-vjeçarja me anë të shtrëngimit me anë të kanosjes, duke i bërë presion me anë të fotografive, ka marrë shumën 15 000 euro, nga njëra nga vajzat e shfrytëzuara, pasi kjo e fundit ka kërkuar të heqë dorë nga ky aktivitet kriminal.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4500 euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal, 1 laptop, 3 aparate celulare, 2 pasaporta, dhe 3 fletore me shënime.