Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Sindikata e Mësuesve të Amerikës i ofron mbështetje SBAShK-ut për kërkesat e tyre për paga, respekt e njohje

Gazeta10
23 September 2022 - 14:16

Sindikata e Mësuesve të Amerikës (AFT) i ka ofruar përkrahje të fuqishme Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, në kërkesat e tyre, raporton Gazeta10.

AFT ka thënë se në emër të 1.7 milion ata i përkrahin mësuesit e Kosovës.

Thuhet se ata janë të nderuar që bashkëpunojnë me SBAShK-un dhe me krenari e vlerësojnë aktivitetin e tyre.

“Në emër të 1.7 milionë anëtarëve të AFT-së, ne mbështesim mësuesit e Kosovës dhe përpjekjet e sindikatës suaj për paga, respekt dhe njohje.  Jemi të nderuar që bashkëpunojmë me SBAShK-un dhe me krenari e vlerësojmë shërbimin tuaj të përkushtuar ndaj anëtarësisë suaj. Në këto kohë të jashtëzakonshme, ndërsa qeveritë në të dyja vendet tona vazhdojnë të shtyjnë ngarkesa më të mëdha të punës arsimore, por ofrojnë më pak burime, ne refuzojmë të lejojmë që mësuesit të fajësohen për një krizë ekonomike që ata nuk krijuan”, thuhet në letrën e tyre.

Tutje, thuhet se punëtorët e arsimit dhe ata të sektorit publik janë shpirti i komuniteteve dhe se kanë premtuar se ata do të qëndrojnë deri në fund me SBAShK-un.

“Mësuesit – dhe motrat e vëllezërit e tyre të sektorit publik janë shpirti i komuniteteve të tyre dhe ata meritojnë të drejtën për paga të drejta, vlerësim më të madh dhe mirënjohjen tonë. Ne e dimë se në ditët në vazhdim, anëtarët e SBASHK-ut do të mbrojnë të drejtat e tyre dhe ne qëndrojmë me ju në solidaritet të plotë”, thuhet në letrën mbështetëse  të AFT-së, të dërguar nga kryetarja, Randi Ëeingarten.

Kujtojmë se punëtorët e arsimit në Kosovë janë në grevë në nivel vendi meqë Qeveria e Kosovës nuk ka marrë parasysh kërkesat e tyre.

Ministria e Financave fillimisht ua ka ndalur pagat grevistëve por më pas është tërhequr nga ky vendim pasi ka pasur një reagim të ashpër nga opozita dhe shoqëria civile. / Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.