
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se PDK do të hapet dhe do të reformohet por nuk do të tjetërsohet, raporton Gazeta10.
Çitaku ka thënë se të gjitha gratë dhe vajzat e reja që po i bashkohen PDK-së do të kenë mbështetjen dhe hapësirën e merituar.
Tutje, Çitaku ka thënë se suksesin e saj nuk e peshon me pozicionin e saj por me mundësitë që do të krijohen për gratë dhe vajzat.
“Nuk kemi mu ndalë”, ka përfunduar ish-diplomatja e Kosovës.
Këtu keni postimin e plotë:
“PDK ka me u hapë. Me u reformu, jo me u tjetërsu. Gratë e vajzat e reja që po i bashkohen PDK-së do ta kenë mbështetjen dhe hapsirën që e meritojnë. Nuk ka rrugë tjetër.
Në PDK jam që nga themelimi. Në fakt, me Presidentin Thaçi kam punuar para se PDK të krijohet si parti. E kam parë nga afër përpjekjen e tij të vazhdueshme për ta pasuruar, rilindur, e reformuar PDK-në. Poashtu e di që edhe atëbotë, sikurse edhe sot, ka pasur ndonjë rezistencë.
Por, rrugëtimi ynë nuk ndalet. E unë, si një grua që ka gëzuar mbështetje e privilegje nga PDK në këto 23 vite, suksesin më nuk e peshoj me pozicionin tim. Sukesin tim e peshoj me mundësitë që do të krijojmë për gratë e vajzat e reja. Nuk kemi me u ndalë.
Bashkë. 50|50”, ka shkruar Çitaku në llogarinë e saj në Facebook. / Gazeta10