Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Bislimi: Nesër takohem me Lajçak, nuk e di kur mbahet takimi i radhës për dialog

Gazeta10
09 October 2024 - 15:37

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se nesër do të takohet me përfaqësuesin special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Ai tha se i njëjti është duke punuar për një takim të radhës në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, mirëpo që ende nuk është caktuar.

“Emisari Lajçak është duke punuar drejt caktimit të një takimi të radhës të kryenegociatorëve. Se kur do të jetë ky takim unë nuk e di. Nesër do të takojë emisarin Lajcak dhe pastaj mund të dakordohemi se si të ecet tutje”, tha Bislimi në konferencën për medie pas mbledhjes së qeverisë.

Duke komentuar mbledhjen e sotme të CEFTA-s dhe vendimin për përfaqësimin e Kosovës në këtë mekanizëm rajonal pa UNMIK-un, Bislimi tha se shpreson që kjo frymë konstruktive e Serbisë të bartet edhe në dialog.

“Unë e shoh këtë si një zhvillim shumë pozitiv sidomos pasi bëhet në Beograd, që nuk ka ndodhur për shumë vite. Shpresoj që kjo frymë konstruktive e Serbisë e cila e kupton se realiteti ka ndryshuar të bartet edhe në dialog në mënyrë që të bindet se marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit duhet të zbatohet në tërësi”, tha ai.

Sa i përket miratimit të agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Bislimi tha se Kosova mund të përfitojë 882,6 milionë euro nga BE-ja.

“Për 4 vitet e ardhshme janë bërë të disponueshme nga Komisioni Evropian rreth 6 miliardë euro për 6 shtetet e rajonit si ndihmesë për arritjen e reformave, nga të cilat Kosova mund të përfitojë në maksimum 882,6 milionë euro. Këto fonde të destinuara për vendin tonë arrihen në atë rast kur ne i plotësojmë reformat për të cilat jemi dakorduar me Komisionin Evropian. Nga kjo shumë, rreth një e treta apo diku 253,3 milionë euro janë grante kurse pjesa tjetër janë hua afatgjate apo 629,3 milionë euro. Kjo nënkupton që këto hua fillojnë të kthehen pas 10 viteve edhe atë me normë jashtëzakonisht atraktive të interesit dhe kthehen për një periudhë 40 vjeçare. Gjysma e fondeve pasi të zbatohen reformat shkojnë direkt në buxhetin e shtetit si mbështetje direkte buxhetore, kurse pjesën tjetër përmes projekteve investive në kuadër të Kornizës Investive për Ballkanin Perëndimor që njihet si WBIF”, tha ai.

Ai renditi edhe fushat kryesore në zbatimin e agjendës së reformave.

“Negocimin e agjendës së reformave dhe Planit të Rritjes e kemi filluar që nga nëntori i vitit të kaluar përmes ekipit kryesor negociues brenda Zyrës së Kryeministrit dhe agjenda prek shumë fusha – në tërësi janë 5 fusha: Qeverisja, reforma e administratës publike dhe menaxhimin e financave publike; fusha e dytë ka të bëjë me Tranzicionin e gjelbër edhe digjitalizimin; fusha e tretë ka të bëjë me Zhvillimin e sektorit privat dhe mjedisin e të bërit biznes; e katërta merret me Zhvillimin dhe ruajtjen e kapitalit human; dhe fusha e fundit ka të bëjë me Vlerat themelore dhe sundimin e ligjit.

Në kuadër të këtyre fushave ne kemi dakorduar 30 reforma, të cilat pastaj janë operacionalizuar në 111 veprime konkrete të cilat kanë afat zbatimi deri në fund të vitit 2027 dhe për secilën prej këtyre reformave pastaj edhe kemi koston që nënkupton shumën të cilën Kosova përfiton pas raportimit pozitiv për përmbushjen e këtyre reformave”, theksoi Bislimi./kp/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.