
Raporti: Kanal10
Prishtina Maraton 2022 ngjalli interesimin e shumë garuesve nga vendi dhe jasht tij. Drejtuesit e Federatës së Atletikës dhe të Komunës së Prishtinës, u shprehën të kënaqur me mbarëvajtjen, derisa thanë se kanë dërguar më pak ftesa shkaku i frikës nga pandemia. Në këtë ngjarje, cmimi e parë i takoi atletit nga Kroacia, Ante Zhivkoviç, shkruan Kanal10.
784 garues nga vende të ndryshme u bënë bashkë në Prishtinë për të vrapuar në shtegun e gjatë prej 42 kilometrave në kuadër të garës “Prishtina Marathon 2022” që u organizua nga Federata e Atletikës së Kosovës dhe Drejtoria e Sportit në Komunën e Prishtinës.
Kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani tha se kjo garë është shumë e rëndësishme që përpos se është e 20-ta me radhë, ajo ka sjellë garues me renome ndërkombëtare.
“Kjo maraton është më e vogël nga pjesëmarrja nga jashtë sepse nuk kemi pasur guxim t’i ftojmë që të marrin pjesë. Në gjithherë i kemi bërë garat në muajin maj ose prill mirëpo këtë e kemi prolonguar pikërisht për shkak të frikës nga pandemia, andaj nuk kemi mundur ne edhe pse e kanë ditur të gjithë që është e proklamuar të vijnë, por pak, shumë pak ka nga jashtë, po mendoj ata elitar sepse të tjerë ka mjaftë”, tha Halil Sylejmani – Kryetar i Federatës së Atletikës së Kosovës.
Kurse, Drejtori i Drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova u shpreh i kënaqur me numrin e madh të garuesve.
“U gëzova që këtu po shoh një numër kaq të madh të pjesëmarrësve dhe njerëzve që janë pro sportit dhe po merren me sport. Shpresoj që çdo i pranishëm të kënaqet edhe ky edhe ky aktivitet çdo vit të bëhet edhe më i madh”, deklaroi Granit Rugova – Drejtor i Drejtorisë së Sportit në Komunën e Prishtinës.
Në garën kryesore, me gjatësi prej 42 kilometrash, fitues doli atleti kroat Ante Zhivkovic, i cili arriti i pari në finish, i dyti ishte atleti kosovar Erzen Zyberaj, ndërsa i treti në finish arriti Emin Grajqevci.
“Ishte e mrekullueshme. Gara filloi mirë, ishte pak ngrohtë në fillim, kështu që nuk ishte shumë vapë, por para fundit kishte një përpjetëze të vogël dhe dielli doli, kështu që 7 kilometrat e fundit ishin të vështira”, tha Ante Zhivkovic – Fitues i çmimit të parë.
“Realisht unë nuk kam qenë i fokusuar të marr pjesë në këtë garë për shkak se i kam pasur dy gare para një muaji,, Kampionatin Botëror 100 kilometra në Berlind dhe në Itali, në Kampionatin Botëror “Sky Runner”, kështu që kamë qenë shumë i ngarkuar fizikisht, mirëpo vetëm kam pasur dëshirë të marr pjesë. Për mua është fillimi, unë jam në proces, besoj dhe shpresoj që pas dy apo tre viteve do të jemi atje ku po shpresojmë të jemi”, tha Erzen Zyberaj – Fitues i çmimit të dytë.
Vendi i parë në këtë maraton u shpërblye me 500 euro, i dyti me 450, kurse i treti me 400 euro. /Gazeta10