Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Prona milionëshe në Veternik, Prokuroria Speciale i reagon Haxhiut: Deklarata tendencioze, këtë rast nuk e kemi pasur në punë

Gazeta10
30 October 2024 - 16:19

Prokuroria Speciale i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për deklaratat e saj në lidhje me pronën në Veternik, që sipas Betimit për Drejtësi dyshohet se u fitua përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve bazuar në zarfin që u dërgua nga Beografi në Prishtinë, në të cilin kinse gjendej historiati i pronës 9 hektarëshe dhe më pas një prokurore ka mbyllur hetimet.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës shpreh indinjatë të thellë ndaj qasjes së vazhdueshme joproduktive të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndaj Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.”

PSRK ka thënë se demantojnë deklarimet e Haxhiut se kanë mbyllur hetimet për këtë rast, duke shtuar se kjo prokurori nuk është marrë me rastin në fjalë.

“Prokuroria Speciale, demanton fuqishëm deklarimin e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të bërë sot, duke u shprehur se “është e shqetësuar pasi Prokuroria Speciale ka mbyllur hetimet për rastin e pronës milionëshe në Veternik”. Prokuroria Speciale informon opinionin publik se rasti për të cilin është deklaruar ministrja në fjalë, nuk është hetuar dhe nuk ka qenë në punë asnjëherë në Prokurorinë Speciale, prandaj deklarimi i tillë i ministres Haxhiu, është i pavërtetë dhe tendencioz.”

Prokuroria Speciale ka thënë se deklarimet e tilla i konsideron të qëllimshme dhe tendencioze.

“Prokuroria Speciale, deklarimet e tilla të pavërteta, fatkeqësisht nga ministrja e drejtësisë, i konsideron të qëllimshme dhe tendencioze në drejtim të Prokurorisë Speciale dhe punës se suksesshme të udhëheqësit të saj, duke vlerësuar se këto deklarime të pasakta, përveç tjerash kanë për qëllim edhe dezinformimin e opinionit publik, pengimin në punë dhe dëmtimin e imazhit të kësaj prokurorie.”

PRSK i ka bërë thirrje Haxhiut “që të përmbahet nga deklarimet e tilla të pavërteta, tendencioze dhe qëllimkëqija”.

“Nisur nga fakti se nuk është hera e pare që ballafaqohemi me sulme të tilla dhe deklarata të pavërteta nga ministrja Haxhiu, Prokuroria Speciale, i bën thirrje ministres së drejtësisë dhe të gjithë personave tjerë që kanë synim pengimin e kësaj prokurorie në realizimin e mandatit të saj, që të përmbahen nga deklarime të tilla të pavërteta, tendencioze dhe qëllimkëqija.”

“Për më tepër, Prokuroria Speciale siguron opinionin publik, se veprimet e tilla të ministres së drejtësisë dhe të kujtdo tjetër, në asnjë moment dhe rrethanë nuk do të ndikojnë që kjo prokurori ta ushtroj mandatin e saj në drejtim të luftimit të kriminalitetit dhe ndjekjen e kryesve të veprave penale, pavarësisht se kush janë ata.”

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.