
Raporti: Saranda Aliu/Kanal10
Mos transparenca e institucioneve publike po shihet shqetësuese nga gazetarët dhe shoqëria civile. Ata thonë se për shkak të kësaj qasje, këto të fundit po ua vështirësojnë punën. Ndërkaq, Agjencia për Informim dhe Privatësi, nga janari e deri tani ka shqiptuar rreth 22 mijë euro gjobë ndaj 4 institucione publike për mos transparencë, ndërkaq gjatë kësaj periudhe në adresën e tyre janë dërguar 208 ankesa, shkruan Kanal10.
Si pasojë e mos transparencës së institucioneve publike, shteti i ka humbur rreth 22 mijë euro.
Nga fillimi i këtij viti, Agjencia për Privatësi dhe Informim, i ka dënuar katër institucione.
Më së shumti i kushtoi Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila u dënua me 13 mijë euro.
Me nga 3 mijë euro u gjobitën edhe Oda e Avokatëve të Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Komuna e Kaçanikut.
Arsyeja e dënimit të MPJ-së, ishte për shkak se ajo kishte refuzuar të japë për gazetën Insajderi dokumente, të cilat lidheshin me shpenzimet e diplomatit Prindon Sadriu.
Pavarësisht gjobës, ky dikaster vazhdon të mos i bëjë publike shpenzimet e zotëriut të parë.
Pranvera Behluli, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, thotë se në adresën e kësaj organizate vijnë dhjetëra ankesa nga redaksitë e medieve se institucionet nuk kthejnë përgjigje.
Sipas saj, në krahasim me qeveritë e kaluara, Qeveria Kurti është më jo transparentja.
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka numëruar institucionet, të cilat janë më pak dhe ato që janë më të qasshme për publikun.
Bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, garantohet e drejta e secilit person fizik dhe juridik, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje, pas kërkesës në dokumentet e mbajtura, hartuara apo pranuara nga institucionet publike./Gazeta10