Politiko

Përplasje të forta në ‘Politiko’, Bajqinovci i kundërpërgjigjet kritikave të opozitës: Albini ia ka shkurtu këmbët Vuçiqit në veri!

Gazeta10
03 Dhjetor 2024 - 16:45

Në studion e “Politikos” të hënën ka qenë i ftuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci përballë komentatorëve politikë Shqipe Pantines, Halil Matoshit, Nexhmedin Spahiut dhe Branislav Kërstiq.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka komentuar seancën e së hënës në Kuvendin e Kosovës, në të cilin është shqyrtuar projektrezoluta për katër vjet qeverisje të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

“Në kuvend është duke debatuar pozitë-opozitë. Edhe ashtu s’kanë qenë mbi 10. Nuk ishin të interesuar për debat vetëm se e thirrën, por faktikisht më shumë kishte nga pozita sesa opozita”, ka thënë Bajqinovci.

Bajqinovci nuk kurseu kritikat për opozitën, duke thënë se ata vetë kanë thirrur seancën dhe kanë munguar shumicën e kohës.

“Me thirr seancën e mos me qenë aty është pa kuptim. Veç opozita te na e ban”, ka thënë Bajqinovci.

Një reagim të shpejtë e pati shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili u inkuadrua drejtpërdrejt nga seanca.

Tahiri ka thënë se është i vetmi nga opozita që po qëndron momentalisht në kuvend.

“Momentalisht opozita nuk është këtu. Jam veç unë prej opozitës”, ka thënë Tahiri.

“Qenke i vetëm përballë qeverisë”, ka thënë Bajqinovci.

“Fjalimet që i paten opozita e ballafaquan qeverinë dhe z.Kurti  i cili ishte thirrur edhe ai e lëshoi sallën”, ka thënë Tahiri.

“Nuk është e vërtetë. Ka nejt deri në ora 18:00. Z.Tahiri vetëm 20% e opozitës ka qenë sot. Aty do të duhej të ishte komplet opozita pasi është seancën e opozitës”, ka thënë Bajqinovci.

Tutje, Tahiri ka thënë se debati i së hënës ka qenë për një mandat katërvjeçar i cili nuk ka prodhuar asgjë deri sot.

“Sot debati ka qenë për një mandat katërvjeçar i cili nuk ka prodhuar asgjë dhe është dokumentuar”, ka thënë Tahiri.

Për më tepër, ai kritikat nuk i kurseu as për fjalimin e kryeministrit Kurti në seancën e së hënës në Kuvendin e Kosovës.

“Z.Kurti ka fol për 50 minuta. E ka pasë elaborat të gjatë, gati sa nuk ia nisi me na tregu edhe për sent items të emaileve të tij, kujt i ka çu emaila e letra, mirëpo nuk u përgjigj në temat kyçe që lidhen me zhvillimin ekonomik e me mungesën e investimeve kapitale”, ka thënë Tahiri.

Në “Politiko” nuk kanë munguar as debatat e forta.

Gazetari serb, Branislav Kërstiq ka pyetur Bajqinovcin se çfarë po u shërbejnë kamerat në veri, kur sulmet në atë pjesë veçse janë shpeshtuar.

“Pushteti aktual i ka instalu kamerat në veri të vendit. Çka po na tregojnë ato kamera kur sulmohen stacionet policore, kur sulmohen ndërtesat?”, ka pyetur Kërstiq.

Megjithatë, një kundërpërgjigje e ka pasur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.

“Kjo nuk është pyetje legjitime fare. Nuk është e drejtë sepse aktet terroste janë kry edhe në Turqi edhe nuk kanë mujt mu kap njerëzt”, ka thënë Bajqinovci.

Një debat i ashpër është zhvilluar në studion e “Politikos” mes deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovcit dhe analistëve Halil Matoshit dhe Nexhmedin Spahiut.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu e ka cilësuar si të drejtë vendimin e kryeministrit të vendit për vendosjen e ushtrisë në kanalin e Ibër-Lepencit.

“E para është mirë që kryeministri Kurti ka kërku për me u vendos ushtria aty, për me bo roje. Përgjigja e KFOR-it ka qenë negative”, ka thënë Spahiu.

Megjithatë, deklarimi i Spahiut ka ngjallur reagime të ashpra.

“E ura u dashtë mu hap sipas principeve të VV-së”, ka reaguar Matoshi.

Tutje, Matoshit i ka reaguar Bajqinovci.

“Prit prit Halil, në Francë kur ndodhi sulmi terrorist a dul ushtria?”, ka thënë Bajqinovci.

“Gjendje e jashtëzakonshme”, ka thënë Matoshi.

“Gjendje e jashtëzakonshme Halil. Halil në shtet demokratik”, ka thënë Bajqinovci teksa debati mes tyre eskaloi edhe në emitime.

“O Faruk Mujka që nuk jua nale rrymën e me lane krejt Kosovën. Është dashur me lane në terr krejt Kosovën me kuptue që është gjendje e jashtëzakonshme”, ka ndërhyrë Spahiu.

Debati ka vazhduar edhe në mes të Bajqinovcit dhe komentatores politike, Shqipe Pantinës.

Pantina ka deklaruar se veri të vendit ende ka terroristë dhe grupe kriminale.

Megjithatë, një deklaratë e tillë ka ngjallur reagimin e ashpër të deputetit Bajqinovci.

“Mos e banalizo me thanë ka ndonjë një akt terrorist, qu unë e ti shkojmë nesër e pimë kafe në veri”, ka thënë Bajqinovci.

“Ju keni thanë se nuk ka banda ose është një mënyrë me i mbajtë njerëzit nën tension, me thanë se ne jemi në luftë”, ka deklaruar Pantina.

“Qysh bre po thu ashtu? Qysh bre spo të vjen marre me thanë që ne e po e bëjmë tensionin në veri? Marre është ajo”, ka thënë Bajqinovci.

Në debatin mes panelistëve është inkuadruar edhe eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi i cili ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për humbjen e mbështetjes amerikane.

Sipas Kajtazit, sulmi në Ibër-Lepenc do të dënohej në rast se Kosova do të kishte raporte të mira me SHBA-të.

“Ambasadori amerikan dhe SHBA-të nuk marrin pjesë në evente ku qëndrojmë kryeministri Kurti, Sveçla dhe ministri i Pushtetit Lokal”, ka thënë Kajtazi.

Mirëpo, Bajqinovci ka theksuar se nuk e kanë humbur mbështetjen amerikane.

“Nuk është ashtu. E dyta Radojçiqi e ka pasur nën kontroll veriun. Momentin kur e ka humbur kontrollin, atëherë ka fillu Serbia mu nervozu. Unë nuk mendoj që kjo ka qenë një sulm pse e kemi humb mbështetjen amerikane sepse dihet kush ka qenë fitues edhe në Banjskë, por edhe në këto tjerat që kanë qenë”, ka thënë Bajqinovci.

Tutje, debate ka vazhduar mes Kërstiq dhe Bajqinovcit.

Gazetari Këstiq ka thënë se kryeministri i vendit është në koordinim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Zotri Vuçiq është në një pozitë që çdo muaj është duke hequr nga Kosova dhe z.Kurti po i ndihmon shumë. Nga fillimi janë partnerë”, ka thënë Kërstiq.

“Je tu spekulu, qysh spekulon çdo herë”, ka reaguar Bajqinovci teksa debate mes tyre ka vazhduar.

Krejt në fund, analisti Nexhmedin Spahiu ka theksuar se Vetëvendosja nuk mund t’i prishë raportet me Amerikën.

“VV nuk mundet jo me pas 50% por as 100%, nuk mundet me i prish raportet me Amerikën sepse raportet kur don i prish Amerika sepse Kosova nuk ka opsion tjetër”, ka thënë Spahiu.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.