
Ekipi i Kanal10 ka sjellë pamje të reja nga protesta në Tiranë, ku shihet ndërhyrja e Policisë së Shtetit dhe shoqërimi i qytetarëve pas shpërndarjes së protestuesve.
Sipas raportimit nga terreni, pas përdorimit të gazit lotsjellës për shpërndarjen e turmës, forcat policore janë pozicionuar edhe në zonën e Tajvanit, duke rrethuar biznese dhe kafiteri për të kontrolluar nëse brenda tyre kishte persona të dyshuar.
Pamjet e siguruara nga ekipi i Kanal10 tregojnë policë që hyjnë në disa prej lokaleve, ndërsa raportohet për arrestime dhe shoqërime të qytetarëve edhe brenda ambienteve private të bizneseve.
Gjatë një prej momenteve të regjistruara, dëgjohet një qytetar duke e pyetur një zyrtar policor: “Me çfarë urdhri do të më shoqërosh mua?”
Zhvillimet vijnë pas ndërhyrjes policore për shpërndarjen e protestuesve pranë Kryeministrisë, ndërsa forcat e rendit kanë vazhduar kontrollet edhe në zonat përreth.