
Kosova do të jetë nikoqire e Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili do të mbahet më 28 dhe 29 nëntor në Prishtinë. Forumi do të mbledhë përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë nga të dyja vendet, me fokus në tri fusha kryesore të zhvillimit ekonomik.
Drejtori i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Besnik Vasolli, në emisionin “Gazeta” në Kanal10, bëri të ditur se forumi do të zgjasë dy ditë dhe do të ketë një agjendë të pasur me rreth 50 folës nga Kosova dhe Gjermania, si dhe mbi 12 moderatorë të takimeve.
“Do të jenë dy ditë të plota me një agjendë të detajuar, me rreth 50 folës nga të dy vendet dhe mbi 12 moderatorë të takimeve”, tha Vasolli.
Sipas tij, fokusi i forumit do të përqendrohet në tri shtylla kryesore: teknologjinë informative dhe mbrojtjen nga krimet kibernetike, energjinë e ripërtëritshme, si dhe industrinë dhe prodhimin vendor.