
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti në “Politiko” me Kushtrim Sadikun ka folur për kandidaturën e tij si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ahmeti ka thënë se do t’i hyjë kësaj beteje për të qenë një zë karshi zhvillimeve politike në vend.
“Duke qenë dëshmitar i një periudhe të një udhëkryqi politik të një momentumi politik çfare e kemi aktualisht në Kosovë, vlerësimi ynë është që nuk mund të jemi komod në pozicionet tona dhe të bëhemi observator të zhvillimeve politike, por natyrisht që duhet të hyjmë në këtë betejë duke mos abstenuar”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka thënë gjithashtu se garës i ka hyrë edhe për një arsye të dytë, duke sqaruar se penalizimi që u është bërë nga niveli qendror si komunë e ka shtyrë që të kandidojë për t’i mbështetur qytetarët e Lipjanit.
“E kam shumë të rëndësishme për të shtuar peshën dhe rëndësinë e zgjedhjeve nacionale. Penalizimi që ka ndodh ndaj Lipjanit dhe komunave që menaxhohen nga niveli qendror ka qenë i vështirë”, ka thënë Ahmeti.
Tutje, ai ka deklaruar se hyrja e tij në këtë garë lidhet edhe me idenë e masovizimit të votës për LDK-në.
“Jemi hy në këtë garë për të masovizu votën e LDK-së dhe për të sjellë ndryshime. Unë nuk kam hyrë në garë për ta lënë Lipjanin, por për ta fitu betejen sepse nuk jam person që abstenoj nga betejat”, ka thënë Ahmeti. /Gazeta10/