
Është mbajtur takimi i parë i Komitetit kyç për përcaktimin e listës së produkteve dhe pajisjeve mjekësore. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka kërkuar që kjo listë të bëhet në mënyrë profesionale dhe duke iu shmangur konfliktit të interesit. Kurse, kryesuesi i këtij komiteti, Driton Vela, ka thënë se nuk ka informata se sa buxhet do të ndahet për këtë listë, raporton Kanal10.
Raporti: Hana Marteti.
Kosova ka nisur punën për përditësimin e listës së produkteve dhe pajisjeve mjekësore.
Për këtë, Komiteti i caktuar për këtë punë, ka mbajtur mbledhjen e parë.
Aty, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka kërkuar që lista e barnave esenciale të bëhet me kompetenca profesionale e shkencore, duke bërë thirrje që të shmanget 100% konflikti i interesit.
Ai ka thënë se përditësimi i listës do të mundësojë që për pacientët të zgjerohen mundësitë e trajtimit me barna të reja, cilësore dhe të sigurta.
Ai ka thënë se sipas nevojës do të sigurojnë edhe ekspertizë ndërkombëtare.
Kurse, kryesuesi i Komitetit kyç të Listës së produkteve mjekësore dhe materialeve shpenzuesve, Driton Vela, ka thënë se lista e re do të përpilohet bazuar në transparencë dhe kapacitete shkencore.
Por, ai ka thënë se nuk ka informata se sa buxhet do të ndahet për listën e barnave esenciale.
Në Kosovë, për herë të fundit në vitin 2019 është bërë përditësimi i listës së barnave esenciale./Gazeta10