
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka shqiptuar gjobat e para për shkelje të Kodit të Mirësjelljes pesë ditë pas hapjes së fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit. PZAP-ja ka gjobitur me mijëra euro Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Komentatorja politike, Shqipe Pantina e ka cilësuar si të drejtë vendimin e PZAP-së për gjobitjen e partive politike.
Sipas saj, kandidatja e LDK-së, Xheneta Syka, e cila publikoi në llogarinë e saj në Facebook një video ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i LVV-së, krahasohej me Adolf Hitlerin, dëshmoi se nuk përçon me frymën e partisë së saj.
“Nëse shprehemi në gjuhë popullore, shumë mirë jua kanë bo dhe sidomos kësaj kandidates së LDK-së për shkak se nuk përçon as me frymën e partisë së vet. Përgjegjësia duhet të jetë edhe individuale”, ka thënë Pantina.
Tutje, Pantina ka theksuar se gjuha e urrejtjes nuk duhet të përdoret nga asnjë subjekt politik. /Gazeta10/