
Ish zv.ministri i Ministrisë së Ekonomisë në Qeverinë Kurti I, Edison Jakurti, ka vlerësuar se qeveria po zbaton ligjin në mënyrë selektive me rastin e mos-ekzekutimit të pagave të mësimdhënësve, raporton Gazeta10.
“Padrejtësi më e madhe se mos zbatimi i ligjit është zbatimi selektiv i tij”, tha Jakurti.
Ai ka thënë se kjo është padrejtësi teksa ka bërë një krahasim me mbulimin e faturave të energjisë elektrike nga qeveria, përkundër se KEDS ka obligim kontraktual që t’i inkasojë faturat.
“Në veri është në rregull që të mos detyrohet KEDS-i që ose t’i inkasojë faturat, siç e ka obligim kontraktual, ose të lëshojë rrugë për shtetëzim dhe, vetëm në 3 vitet e fundit, t’i ndahen KOSTT-it 67.7 milionë euro për ta paguar rrymën atje – 10 milionë në 2020, 17.7 milionë në 2021, dhe 40 milionë me 10 gusht 2022. Ndërsa për të mos i paguar mbi 25 mijë mësimdhënës krijohet precedent duke e interpretuar një nen të një ligji në një mënyrë që mund të kontestohet lehtësisht nga një nen tjetër i po të njëjtit ligj”, ka shkruar Jakurti./Gazeta10.