
Nënkryetari i Komunës së Skenderajt nga PDK, Sami Lushtaku ka goditur ashpër kryeministrin e vendit, Albin Kurti si reagim ndaj një videoje të publikuar sot të VV ku portretizohen si shkatërrues edhe ish krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli që po mbahen prej dy vitesh në Hagë.
“Ma shumë e respektoj një serb të Beogradit se sa Albin Kurtin”, ka deklaruar ai.
Gjatë emisionit Pressing, Lushtaku ka thënë se i vjen keq që janë vendosur në video ish-krerët e UÇK-së që janë në Hagë.
“Më erdhi keq për ata që janë në Hagë. Unë edhe aa që janë në Hagë jemi mësu me kësi videosh në kohën e MIlloshoviqit, kur fotografia e ime dhe bashkëluftëtarëve të mi, ka qenë vazhdimisht në mjetet e informimit serb”, ka thënë ai.
Lushtaku ia ka serbizuar mbiemrin Kurtit, duke e quajtur “Kurtoviq”, ndërkohë që e ka ftuar që ta aktivizojë drejtësinë mbi të nëse ka dyshime për vepra penale.
“Kurtoviqi e ka pushtetin. Nëse konsideron që jemi hajna, le të veprojë drejtësia. E ftoj Kurtoviqin dhe sejmenët e tij, le të urdhërojnë… gjykatën e kanë, prokurorinë e kanë. Kam pritur nga kjo qeveri që minimalisht t’i ndihmojë ata që janë në Hagë, e ky publikon këso video që janë të çuditshme”, ka thënë Lushtaku./Gazeta10