
Mosekzekutimi i pagave për mësimdhënësit, ka ngjallur kundërshti mendimesh mes deputetëve të grupit parlamentar të Vetëvendosjes. Të paktën pesë prej tyre vlerësojnë se duhet të ekzekutohen pagat, si dhe presin reflektim nga SBASHK-u për kompensim të orëve, raporton Kanal10.
Raporti: Gentiana Gashi
Kamera: Ron Hashani
Mosekzekutimi i pagave për mësimdhënësit ka nxitur reagime të shumta brenda grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Të paktën janë mbi 10 deputetë nga partia në pushtet që nuk kanë përkrahur këtë vendim të qeverisë, ku në mesin e tyre janë Jeta Statovci, Eman Rrahmani, Haxhi Avdyli, Gramos Agusholli e Alban Bajrami.
Njëzëri me deputeten Jeta Statovci nga Lista Guxo, se rrogat duhet t’i marrin grevistët, ishin edhe deputetët tjerë nga ky subjekt politik.
Statovci thotë se ka reaguar publikisht për të ruajtur mirëqenien e mësimdhënësve, derisa pret reflektim edhe nga SBASHK-u për kompensimin e orëve të humbura.
Ndërkaq, mospajtime me ekzekutivin për këtë, kanë edhe deputetët e partisë në pushtet.
Deputeti Eman Rrahmani në rrjete sociale ka shkruar se pagat duhet të procedohen për të gjithë mësimdhënësit, e orët e humbura duhet të kompensohen deri në përfundim të vitit shkollor.
Njëjtë ka kërkuar edhe kolegu i tij nga Vetëvendosje, Alban Bajrami.
Edhe deputeti Gramos Agusholli ka kërkuar ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, në këmbim të kompensimit të orëve të humbura si pasojë e grevës.
“Unë mendoj qe si veprim ligjërisht është i drejtë, por a duhet të aplikohet, mendoj se jo, për shkak të situatës ekonomike, por në anën tjetër edhe mësimdhënësit duhet të japin premtimin që orët e humbura duhet të kompensohen.”
Lidhur me zhvillimet e fundit, edhe deputeti nga Vetëvendosje, Haki Abazi, ka paralajmëruar një konferencë për media, duke njoftuar se aty do t’i shpalosë mendimet e tij për atë se me çka po preokupohen qytetarët./Gazeta10.