
Një nxënëseje në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë i është kërkuar të marrë leje nëse mund të vijojë mësimin pasi gjatë pushimit të verës, vendosi shaminë. Stafi i shkollës, 17 vjeçares i kishte thënë t’i drejtohet Ministrisë së Arsimit. Mirëpo, këta të fundit, sipas saj, jo zyrtarisht i kishin kërkuar ta heq shaminë deri në përfundimin e klasës së 12. Nga MASHTI-i s’kanë kthyer përgjigje, raporton Kanal10.
Raporti: Saranda Aliu
Kamera: Tonin Fejza
Ditën e parë të shkollës e priti me gëzim.
Por, ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj, R.A, e cila vijon mësimin në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, dita e parë i shkoi nëpër dyer të institucioneve për të kërkuar leje, nëse ajo do të mund të vazhdojë mësimin.
Kjo për shkak se 17 vjeçarja, gjatë pushimit të verës vendosi ta bartë shaminë.
Nxënësja R. A thotë se i është drejtuar edhe Ministrisë së Arsimit për të kërkuar leje, mirëpo sipas saj, ata gojarisht i kishin thënë se nuk mund të dalin kundër Udhëzimit Administrativ që ndalon bartjen e shamisë në institucione arsimore.
Sipas saj, ata gjithashtu i kishin kërkuar që ta heq shaminë deri në përfundim të klasës 12.
Profesoresha e lëndës së matematikës, Ajshe Zogjani, ka thënë se i kishte kërkuar 17 vjeçares që për të hyrë në klasë me uniformë fetare, duhet të marrë leje nga zëvendësdrejtori i kësaj shkolle.
Zogjani ka thënë se nuk ka asnjë përgjegjësi në këtë rast, derisa sipas saj, ajo ka i vetëm i kërkuar nxënëses t’iu drejtohet organeve kompetente.
Megjithatë, zëvendësdrejtori Daut Selimi, i cili nuk ka pranuar të deklarohet për rastin, ka treguar se nxënëses i kishte thënë se meqenëse Udhëzimi Administrativ nuk e lejon bartjen e shamisë në shkolla, ajo duhet t’i drejtohet Ministrisë së Arsimit.
Lidhur me këtë rast, Kanal10 ka provuar të marr qëndrimin e MASHTI-it, por gjatë ditës nuk kanë kthyer përgjigje.
E përgjigje nuk kanë kthyer as nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, me gjithë pyetjet e dërguara nga televizioni.
Ndryshe, para disa javësh ishte organizuar një fushatë për lejimin e shamisë në shkolla, ku i ishte bërë thirrje MASHTI-it që të ndryshojë udhëzimin administrativ, por që ministrja Arbërie Nagavci dhe zyrtarë tjerë kanë kundërshtuar ndryshimin e tij./Gazeta10.