
Pas kritikave të ashpra të Presidentit amerikan Donald Trump ndaj udhëheqësit të Ukrainës të mërkurën, ky i fundit tha se po përgatitej për një takim të enjten me të dërguarin e Trump në Kiev, për të punuar drejt “një paqeje të qëndrueshme” me Rusinë.
“Për ne është thelbësore që takimi dhe bashkëpunimi ynë në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara të jetë konstruktiv”, tha Zelensky në fjalimin e mbrëmjes drejtuar kombit.
“Së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, paqja mund të jetë më e sigurt dhe ky është qëllimi ynë”, shtoi ai më tej.
Të mërkurën, Trump dhe Zelensky shkëmbyen akuza në distancë.
Presidenti amerikan e quajti Zelenskyn një “diktator të pazgjedhur” ndërsa udhëheqësi i Ukrainës akuzoi Trumpin se jeton në një “hapësirë dezinformimi” të ndikuar nga Rusia.
Ndërsa fati i luftës trevjeçare Rusi-Ukrainë mbetet i paqartë, Zelensky druhet se udhëheqësi amerikan po përpiqet t’i japë fund sulmit rus, me kushte më të favorshme për Moskën sesa Kievin.