
Prokuroria e Gjakovës ka nisur hetimet rreth përleshjes që ka ndodhur në ambientet e Universitetit “Fehmi Agani” mes zyrtarit administrativ dhe një profesori. Rektorati po pret vendimin nga këshilli , për hapat e mëtutjeshëm, ndërkaq familja e zyrtarit administrativ ka akuzuar profesorin për sulm ndaj familjarit të tyre, i cili është në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Raporti: Gentiana Gashi, Kamera: Fisnik Slivova.
Karrigia ku Albert Vula ulej për të punuar, tashmë është e zbrazët.
Kjo pasi, referenti ka disa ditë që nuk ka ardhur në administratë.
Vula që mban postin e zyrtarit administrativ dhe profesori i fakultetit të Edukimit në Gjakovë, Valdet Hysenaj, u përfshinë në një konflikt verbal, i cili më pas kaloi në përleshje.
E këtë e vërtetojnë edhe dëmtimet që janë shkaktuar në tavan.
Familjarët e zyrtarit administrativ kanë thënë për televizionin, se janë të shqetësuar për gjendjen shëndetësore dhe emocionale të tij, derisa për të gjithë ngjarjen e fajësojnë profesorin.
Drejtues të universitetit kanë dhënë versionin për rastin në fjalë, derisa kanë treguar që së shpejti pritet të mblidhet Këshilli i Etikës për të vendosur rreth këtij rasti.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, e ka cilësuar rastin si lëndim i lehtë trupor, derisa sipas tyre hetimet janë duke vazhduar.
Burime të Kanal10 brenda universitetit kanë thënë se kur ka ndodhur rasti, profesori ka qenë nën ndikimin e alkoolit./Gazeta10