
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar Kooperativën e Krushës, ku ka thënë se kjo është një inspirim nacional, e nga ku edhe e ka kritikuar qeverinë, raporton Gazeta10.
Abdixhiku ka thënë se rrëfimi i tyre përmes filmit “Hive” po tregohet në mbarë botën.
Më tej, Abdixhiku ka thënë se aty ka qëndruar edhe për të kuptuar problemet e tyre që lidhen me zingjirin prodhues.
I pari i LDK-së ka kritikuar shtetin për mbrojtjen e fermerëve.
Ai ka përmendur edhe jostabilitetin me energji elektrike.
Këtu keni statusin e plotë:
“Fahrije Hoti dhe gratë e ”Kooperativës Krusha” janë inspirim nacional. Përpjekja e tyre për ngritje pas luftës që u mori të gjitha, është tregim që duhet rrëfyer gjeneratave të ardhshme në vazhdimësi. Nëpërmjet filmit ‘Hive’ ky tregim po i rrëfehet dhe botës tani. Duhet qëndresë prej guri e kurajo prej më të rrallave për të kapërcyer dhimbjet e luftës e për të ndërtuar një kooperativë si kjo.
Por në Krushë të Madhe nuk ishim vetëm për këtë rrëfim. Aty qëndrova me bashkëpunëtorë për të kuptuar nga afër problemet e gjithë zinxhirit prodhues. Sot, mbi 50 gra të Kryshës së Madhe janë të punësuara në kooperativë. Mbi 100 fermerë nga rajoni janë pjesë e prodhimtarisë. Nga ajvari e specat me kos – janë dhe 28 produkte të tjera që prodhohen aty. Mbi 80% e produkteve eksportohen në Evropë – pjesa tjetër në Kosovë.
Kjo kooperativë nuk arrinë të përmbushë sot kërkesat që i vijnë nga jashtë. Jo sepse nuk do, por sepse nuk mundet. Fermerët janë të pambrojtur, grantet janë larg, burokracia e letrave është e rëndë – aq e rëndë sa që nga viti 2015 kanë zgjedhur fare të mos aplikojnë. Po të ndihmohej kjo kooperativë me teknologji, po të mbështeteteshin fermerët në kultivim, po të kishte stabilitet në furnizim energjetik – kjo koperativë, përveç se do t’i shtonte shitjet jashtë, do të rriste edhe punësimin për më shumë gra e shumë fermerë brenda në Kosovë”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10