
Pozita e opozita nuk pajtohen me projektligjin për Institutin e Krimeve të Luftës në Kosovë
Kuvendi i Kosovës po shqyrton në lexim të parë, projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se në këtë formë do të hulumtohen dhe dokumentohen shkeljet e rënda të drejtave të njeriut. Por, opozita nuk e ka përkrahur as emrin e institutit dhe strukturën që përcakton ky projektligj.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se Kosova është vonuar në dokumentimin e krimeve të kryera në Kosovë, për çka shtoi se është momenti i fundit.
Me themelimin e Institutit, Haxhiu tha se Kosova do të ketë të dhëna të sakta për dëmet e shkaktuara në Kosovë të cilat më pas do i shërbejnë të vërtetës dhe drejtësisë.
Ajo ka folur edhe për kompetencat dhe përgjegjësitë e këtij instituti. Ministrja Haxhiu shtoi se do të grumbullohen, përpunohen, klasifikohen dhe krijohet më pas edhe fondi arkivor. Ajo ka bërë të ditur se do të sistemohen dhe të botohen kujtimet e të mbijetuarve të krimeve të luftës.
Ministrja e Drejtësisë ka kërkuar që të miratohet në parim ky projektligj. Po ashtu, edhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi ka ftuar deputetët që të japin përkrahjen e tyre.
Ai në emër të LVV-së ka shtuar se për më shumë se dy dekada, Kosova nuk bëri gati asgjë për të dokumentuar krimet e forcave policore e ushtarake serbe.
Ndërkaq, sipas shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ky projektligj duhet të bëhen ndryshime dhe plotësime të mëdha të strukturës së tij. Ai ka shtuar se me këtë strukturë të prezantuar do të bëhet gabimi i vitit 2011. Ai nuk është pajtuar as me datën 31 dhjetor të vitit 2000, ku deri në atë kohë janë kryer krimet e luftës.
Sipas tij, të dhënat që do të grumbullohen do të jetë kredibile, meqë pasojnë nga Zyra e Kryeministrit.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj në seancë plenare ka pasur kritika për emrin e këtij projektligji,
Megjithatë, ai ka theksuar se në parim, Lidhja Demokratike e Kosovës përkrah idenë e themelimit të Institutit me këtë projektligj.
Projektligji është mbështetur edhe nga AAK, por ka kërkuar që të ketë mandat deri më 12 qershor, kur është edhe dita e çlirimit të vendit. /Gazeta10